Spitali “Shefqet Ndroqi” i rikthehet normalitetit

“37 të infektuar me coronavirus po marrin shërbim në dy spitalet Covid në kryeqytet në Covid 1 pranë QSUT dhe Covid 2 në Sanatorium. Nga nesër të gjithë do të trajtohen vetëm në Covid-1 pasi Komiteti i Ekspertëve ka vendosur të mbyllë Covid-2 dhe ta rikthejë në normalitet”.

Mjekëve dhe infermierëve të spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” ua dha lajmin Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu, gjatë një takimi me ta.

“Të gjitha urgjencat e pacientëve me Covid-19 të Shqipërisë tashmë do të kalojnë në Spitalin Infektiv Covid1”.

Manastirliu u ndal dhe tek miratimi për përdorimin emergjent i vaksinës Sinovac nga OBSH duke theksuar se vaksinimi nuk do të ndalet.

“Ne po vijojmë me ritme shumë të kënaqshme programin e vaksinimit, duke diversifikuar në mënyrë të vazhdueshme portofolin e vaksinave dhe do të vijojë të jetë objektivi jonë kryesor, vaksinim, vaksinim, vaksinim, pasi vetëm duke vaksinuar, ne mund të mbrojmë jetën e qytetarëve, ashtu sikurse e kemi bërë deri me sot, ku shihet që impakti i vaksinimit ka dhënë një efekt real mbi uljen e kurbës epidemike, uljen e rasteve në spitale, uljen e fatataliteteve”.

Pavarësisht rikthimit të spitalit “Shefqet Ndroqi” në normalitet, harmonizimi i shërbimeve do të jetë funksional për rastet post-Covid dhe long-Covid, që kërkojnë trajtim të specializuar. Spitali Infektiv do të jetë i vetmi që do të trajtojë pacientët me Covid pasi më herët u mbyllen edhe pavijonet në rrethe dhe spitalet Covid 3 dhe Covid 4.

Tv Klan