Kreu i qeverisë, Edi Rama nga foltorja e Kuvendit u shpreh se është i vetëdijshëm se mbyllja e basteve dhe lojërave të fatit do të sjellë shumë njerëz të papunë, por ai premtoi se të gjithë ata që do të hapin biznese të “shëndetshme” pas mbylljeve së basteve do të paguajnë vetëm 5 për qind detyrime në shtet.

“Nga ana tjetër, vendet e punës që janë mbyllur dhe e di që është një problem për ata që janë të punësuar. Nuk do të jetë aspak e lehtë, por do të jetë e mundur transformimi i këtyre hapësirave në biznese të “shëndetshëm”, 5 % tatim fitimi deri në 140 milionë xhiro. Është një masë që do të hyjë në fuqi nga ky parlament përpara vitit të ri dhe do tu japë mundësi të gjithë atyre që bëjnë biznes të vogël ose që e kanë sot një biznes. Kjo është një mundësi që se ka asnjë vend tjetër. Taksë 5 % është një nxitje shumë e fortë për këdo që do të hapë një biznes dhe do të punësohet apo do të punësojë”.

Rama tha se do të ofrohet ndihmë për ata që kanë qënë të punësuar, por pa dhënë detaje se si.

“Gjithashtu do të jetë prioritet ndihma për të gjithë ata që do të dalin të papunë dhe që janë punonjës dhe duan të punojnë”.

Rama e cilësoi si “mortje” biznesin e lojërave të fatit dhe sipas tij ka shkatërruar familjet.

“Duhet të mbyllet kjo mortje. Efektet në familje të kësaj “sëmundje”, shkojë deri në konflikte të rënda që përfundojnë me divorce pas instalimit të dhunës brenda për brenda familjes. 43 për qind e lojtarëve e pranojnë se pasi janë futur në këtë rrugë jetojnë duke fshehur dhe duke vjedhur lekë në familje. Premtojnë çdo natë se është hera e fundit, por përsëri shkojnë dhe vendosin skedina. Vendimi nuk është unik për Shqipërinë dhe nuk vjen si një rrufe në qiell të pastër vetëm në Shqipëri. Franca ka formuar një etnitet shtetëror vetëm për bastet online me një kontroll policor gjë që ne na mungon. Ne do ta fillojmë nga ndërtimi i një sistemi të gjerë. Më vonë ky parlament do e vendosë të hapë një dritë jeshile për bastet online”./tvklan.al