Kryeparlamentari: Nuk pati asnjë shkelje, u zbatua rregullorja

“Pas ditës së djeshme, ku ne deputetët u mbyllëm në sallën plenare me urdhër të Talat Xhaferit, deputetët e VMRO-DPMNE-së do të dorëzojnë interpelancë ndaj tij”. Kështu paralajmëroi kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie.

“Talat Xhaferi me metodat e tij diktatoriale dhe joparimore nuk duhet asnjë ditë më shumë të udhëheq me ligjvënësin. Ky njeri nuk ka respekt ndaj askujt, as ndaj shërbimeve të Kuvendit, të cilët i fyente dhe shante, as ndaj deputetëve që guxoi t’i mbyll në sallë plenare.”

Sa i përket mbylljes së dyerve të sallës, nga kabineti i Xhaferit demantojnë të ketë pasur shkelje të Rregullores. Lidhur me këtë çështje thirren në nenin 95 dhe 97 të Rregullores  lejon mundësi për mbylljen e dyerve të sallës, me kërkesë të kryeparlamentarit, ose të një deputeti, të mbështetur nga më së paku dhjetë deputetë.

“Sipas kësaj, gjatë ditës së djeshme dyert e sallës ishin të mbyllura që të munden shërbimet e Kuvendit të konstatojnë numrin e deputetëve të pranishëm, respektivisht nëse ka kuorum për të kaluar në votim”

Kujtojmë se  VMRO-DPMNE tashmë disa ditë kërkojnë dorëheqjen e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, pas audio inçizimit të publikuar më 12 maj, ku Xhaferi dëgjohet duke fyer dhe ofenduar shërbimet e Kuvendit. Pas disa ditëve heshtje, gjatë ditës së djeshme Xhaferi u tha gazetarëve se nuk e ndjen përgjegjësi ndaj shërbimeve të Kuvendit dhe nuk do të kërkojë falje. Ai fajësoi shërbimet për papërgjegjësi në punë.

Tv Klan