Vendimi i Federatës Franceze të Futbollit për të mbyllur para kohe sezonin 2019-2020 për shkak të shpërthimit të pandemisë Covid-19 ka sjellë shumë pakënaqësi në radhët e skuadrave elitare në vend.

Një prej ekipeve që kërkonte medoemos që sezoni të vendosej në fushë, është Olimpik Lion. Vendi i nëntë aktualisht e lë jashtë zonës europiane, edhe pse matematikisht kishte shpresa të kualifikohej në Champions dhe Europa League nëse sezoni do të rifillonte.

Me iniciativën e presidentit të saj, Jean Michel Aulas, Lion ka përpiluar një kërkesë me 23 faqe ku detajohet kalendari për të caktuar fituesin e sezonit dhe skuadrat që do të shkojnë në Europë. Dokumenti ndodhet në zyrën e Ligës Franceze të Futbollit dhe mediat franceze kanë zbuluar detaje të saj.

Për titullin e kampionit dhe kualifikimin në Europë të zhvillohet një format Play-Off ku mund të luhen 3 faza. Faza e parë të bëhet me 3 ndeshje nokauti midis skuadrave të renditura nga vendi 10 deri në 15. Nga kjo fazë do të vijonin rrugën 3 skuadra që do shortoheshin në 4 grupe me 3 ekipe në fazën e dytë.

Pas një mini-turneu mes tyre do të kualifikoheshin më tej 2 skuadrat e para të çdo grupi, pra 8 ekipe do të luftonin për titullin kampion dhe vendet në Europë. Fituesi do të kurorëzohet si kampion i Francës, finalisti kualifikohet në Champions së bashku me kampionin e finales së vogël, ndërsa vendi i katërt kualifikohet në Europa League.

I njëjti format do të vendosë edhe dy skuadrat që bien një kategori më poshtë, garë që do të vendoset mes skuadrave të Angers, Strasbourg, Bordeaux, Nantes, Brest dhe Metz.

Klan Plus