Ministrja Kushi sqaron pse u mbyll shkolla “Mehmet Akif Ersoy”

Ministrja Kushi sqaron pse u mbyll shkolla “Mehmet Akif Ersoy”

09:13 23/09/2022

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka reaguar në rrjetet sociale pas mbylljes së shkollës private “Mehmet Akif Ersoy” dhe ka sqaruar opinionin publik për vendimin që mori qeveria. Kushi thotë se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka konstatuar një sërë shkeljesh ligjore nga zotëruesit e licencës në fjalë.

Kushi thotë se shkolla ka nisur procesin mësimor këtë vit në një vendndodhje të pamiratuar nga MAS. Ajo shkruan më tej se zotëruesit e licencës nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore edhe pse nga ana e MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.

Ministrja sqaron edhe se MAS do të marrë masat e nevojshme për të transferuar 160 nxënësit në shkolla të tjera. Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekulimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi.

Reagimi i ministres së Arsimit, Evis Kushi:

Nisur nga interesimi dhe spekullimet në lidhje me shkaqet që çuan në heqjen e licencës dhe mbylljen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”, sqarojmë se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë.

1. Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.

2. Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.

3. Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.

Ministria e Arsimit dhe Sportit në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve. Prandaj, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.

Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekullimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi.

Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron të gjithë të interesuarit për këtë çështje, se në këtë fillimviti shkollor nuk janë vënë re raste të tjera shkeljesh të së njëjtës natyrë dhe kriteret e standardet ligjore janë të përmbushura për të gjithë nxënësit e tjerë të shkollave jopublike.





Të ngjashme