Kushi: Fundin e javës së shkuar u reflektua dhe një rritje e infektimeve nga Covid , 1100 mësues dhe mbi 1600 nxënës

I ftohti ka mbyllur shkollat në mbarë vendin.

Dita Ndërkombëtare e Arsimit i ka gjen shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të mbyllura në të gjthë vendin, për shkak të të ftohtit. Ky vendim do të jetë në fuqi deri ditën e mërkurë. Sipas ministres së Arsimit, shkaktar për këtë vendim nuk është vetëm mungesa e ngrohjes së shkollave.

“Janë pak, nuk janë shumë shkollat që nuk kanë ngrohje. Në disa shkolla kanë ngrohje me dru, në disa kanë kaldaja. Nuk ka lidhje ky vendim vetëm me sistemin e ngrohjes nëpër shkolla, por edhe me elementë të tjerë siç është rreziku që mund të ketë nxënësi nga shtëpia deri në shkollë. Këtë vendim e kemi marrë javën e kaluar kur parashikimet thonin që temperaturat do të shkonin në -17 gradë Celsius në disa zona kështu që për t’i paraprirë kushteve kaq të vështira atmosferike, morëm këtë vendim. Është një vendim që mund të rishikohet nëse situata e motit përmirësohet”.

E pyetur nëse mbyllja e shkollave ka lidhje me infektimet e mësuesve dhe nxënësve ajo tha se infektimet kanë ardhur në rritje.

“Për të qenë e sinqertë ka një rritje. Statistika që kemi marrë ditën e premte ka qenë 1100 mësues të konfirmuar me Covid dhe 1600 nxënës”.

Në lidhje me shtyrjen e vendimit të mbylljes së shkollave ajo tha se do jetë në varësi të kushteve të motiti, por sipas parashikimeve nuk pritet të ketë ndryshim të datës, të enjten më 27 Janar nxënësit dhe mësuesit do të rikthehen në shkollë.

Klan News