59 emigrantë janë mbytur 75 kilometra në jugperëndim të Peloponezit të Greqisë. Autoritetet arritën që të shpëtonin 104 prej tyre, ndërsa numri i atyre që ishin në bord mendohet të ketë qenë mbi 400.

Të mbijetuarit u dërguan në Kalamata. Katër nga të mbijetuarit u shtruan menjëherë në spital me simptoma të hipotermisë.  Në zonë ka nisur një operacion i madh kërkim-shpëtimi. Gjashtë anije të rojes bregdetare, një aeroplan ushtarak, një helikopter i forcave ajrore, disa anije private dhe një dron nga agjencia e mbrojtjes së kufijve të Bashkimit Evropian “Frontex”, janë vendosur në dispozcion për të gjetur të tjerë emigrantë.

Anija me destinacion Italinë ishte nisur nga zona e Tobruk e Libisë lindore. Roja bregdetare bëri të ditur se anija, e cila po lundronte për në Itali u pa për herë të parë në ujërat ndërkombëtare nga një helikopter i “Frontex” dhe dy anije aty pranë, rreth 47 milje  në jugperëndim të qytetit të Pylos në Greqinë jugore. 

Një varkë e “Frontex”  i ofroi ndihmë emigrantëve pasi anija ishte plot dhe po mbytej. Por sipas mediave thuhet se emigrantët në bordin e varkës refuzuan ndihmën e ofruar pasi donin të vazhdonin udhëtimin për në Itali.

Sipas mediave greke një pjesë e madhe e emigrantëve që ishin në bordin e anijes ishin nga Afganistani, Pakistani, Siria dhe Palestina. Dëshmitë e disa prej të mbijetuarëve tregojnë se kontrabandistët identifikuan rojen bregdetare dhe ndryshuar kursin e anijes duke shkaktuar qëllimisht mbytjen e anijes.

Greqia është një nga rrugët kryesore për refugjatët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika. Shumica kalojnë në ishujt grekë nga Turqia e afërt, por një numër në rritje varkash gjithashtu ndërmarrin një udhëtim më të gjatë dhe më të rrezikshëm nga Turqia në Itali përmes Greqisë.

Klan News