Dëshmia: Isha 40 minuta pa ndjenja, dola në breg me not

Gjykata e Shkodrës ka lënë në qeli Indrit Bajraktari, i cili dyshohet se braktisi në detin e Velipojës 17-vjeçaren Enisa Doda, duke e lënë të mbytet.

Para gjykatës 25-vjeçari u shpreh se ata u rrëzuan të dy në ujë dhe se ai ishte për rreth 40 minuta pa ndjenja. Bajraktari tha se ai doli me not në breg, ndërkohë që 17-vjeçarja ishte mbytur.

“Ne ishim duke bërë xhiro në det dhe në një moment diçka ndodhi. Jemi rrëzuar të dy nga motori dhe nuk mbaj mend asgjë se çfarë ka ndodhur. Për rreth 40 minuta kam qëndruar pa ndjenja në ujë dhe kur jam përmendur dola me not. Ka ardhur një çift tjetër dhe me thanë se po njoftojmë ato të motorskafeve se ata ishin dy veta dhe nuk kishte vend për mua. Nuk e di pse çelësin e motorit e kishte Enisa në qafë”.

Por prokuroria dyshon tek deklaratat e Indrit Bajraktarit. Kjo për faktin se Enisa Doda rezulton se kishte veshur jelek shpëtimi, por u gjet pa të nga peshkatarët që e panë të mbytur.

Po kështu fakti që 25-vjeçari ka tentuar t’i shpëtojë policisë, si dhe ka dhënë dëshmi të ndryshme, ka shtuar dyshimet se ai nuk po tregon të vërtetën lidhur me mënyrën se si humbi jetën e reja.

Ngjarja ndodhi 5 ditë më parë dhe Indrit Bajraktari akuzohet për shkaktim të vetëvrasjes, moskallëzim krimi si dhe për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.

Tv Klan