Maas: Nisim negociatat me RMV, Shqipëria nëse janë rrethanat

Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David Mcallister kërkon që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të mos votohet të enjten duke rrëzuar dekretin e Presidentit Meta, por të pritet opinioni i Komisionit të Venecias. McAllister shkruan se ndjehej i shqetësuar për votimin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Ndryshimet e njëanshme të marrëveshjes mund të thellojnë më tej klimën e mosbesimit dhe polarizimit përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021. Ato do të jenë joproduktive ndaj përpjekjeve për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit”, thotë McAllister.

McAllister është njëri nga 8 firmëtarët e një letre nga grupi i PPE në Parlamentin Europian i ka dërguar kryeministrit Rama ku kërkohet që mazhoranca të mos ngutet pasi kjo do të ndikojë edhe në procesin e hapjes së negociatave.

“Ky opinion pritet në dhjetor dhe duhet të pasqyrohet në Kodin tuaj Zgjedhor përpara zgjedhjeve të përgjithshme të Prillit 2021 që, siç deklarohet në kushtet, duhet të jenë të lira dhe të drejta. Kjo është shumë e rëndësishme në funksion të përpjekjeve për të mbajtur Konferencën e parë Ndërqeveritare, e cila shpresojmë të japë dritën e saj jeshile jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për Shqipërinë”, thuhej në letrën e eurodeputetëve.

Sa i përket hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian ka pasur një deklaratë edhe nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas që ka konfirmuar mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut ndërsa për Shqipërinë thotë se duhen parë rrethanat.

“Në Samitin BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj, të dy palët riafirmuan angazhimin e tyre për zgjerimin dhe reformat e nevojshme. Ne kemi hapur derën e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Para fundit të Presidencës Gjermane të Këshillit të BE-së, ne duam të mbajmë një konferencë të parë të pranimit me Maqedoninë e Veriut. Dhe – nëse rrethanat e lejojnë – edhe me Shqipërinë”.

Presidenca gjermane e Bashkimit evropian përfundon në Dhjetor.

Tv Klan