Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell tha të mërkurën se një projekt-ligj demokrat për të rritur pagesat e ndihmës për koronavirusin në 2,000 dollarë nga 600 dollarë nuk kishte gjasa të kalonte në Senat së shpejti, duke eliminuar pothuajse me siguri shanset për sukses të një përpjekjeje për të rritur ndihmën, e cila u përkrah nga Presidenti Donald Trump.

Senatori McConnell tha në sallën e Senatit se një projekt-ligj i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët, që synonte të përmbushte kërkesën e zotit Trump për pagesa më të mëdha, “nuk ka asnjë shans realist për t’u miratuar së shpejti në Senat.”

Senatori Republikan John Cornyn u tha gazetarëve se ai mendonte se nuk kishte gjasa që Kongresi të vepronte për të rritur shumën e ndihmës duke pasur parasysh komentet e zotit McConnell.

I pyetur nëse ai priste që republikanët të përballeshin me një kundërpërgjigje politike, zotit Cornyn tha “jo”, duke shtuar se Kongresi kishte miratuar tashmë triliona dollarë në ndihma për ekonominë e goditur nga pandemia.

Presidenti Trump ushtroi trysni ndaj republikanëve për të mbështetur pagesa më të mëdha stimujsh për COVID-19 për amerikanët në vështirësi, duke shkruar vazhdimisht në Twitter gjatë ditëve të fundit. “2000 dollarë sa më shpejt!” kishte shkruar ai në Twitter të mërkurën herët.

Tensionet brenda partisë mbi përpjekjen për të rritur pagesat nga 600 dollarë të miratuara tashmë nga Kongresi u përkeqësuan nga një përplasje e dytë mbi një përpjekje në Kongres për të hedhur poshtë një veto të zotit Trump për një projekt-ligj të mbrojtjes.

Senati i kontrolluar nga Republikanët ishte gati të ndërmerrte një hap më shumë drejt një veprimi që do të ishte anulimi i parë i një vetoje për gati katër vitet e mandatit të presidentit Trump, me një votim procedurial të mërkurën.

Me një Kongres të ri dalë nga zgjedhjet e nëntorit, që fillon sesionin të dielën, komenti i senatorit McConnell linte të kuptohej se legjislacioni që u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve të hënën, thjesht mund të lihej të skadonte.

Zoti McConnell tha se pagesat prej 2,000 dollarësh nuk ishin të përcakuara për një grup të caktuar dhe mund t’u shkonin njerëzve që nuk kanë nevojë për to.

Të martën vonë, udhëheqësi i Senatit prezantoi një projekt-ligj që kombinonte pagesat prej 2,000 dollarësh me dispozita që hiqnin disa mbrojtje ligjore për kompanitë e mediave sociale dhe një kërkesë për të analizuar sigurinë e zgjedhjeve, një çështje e rëndësishme për zotin Trump, i cili pretendon pa prova se mashtrimet në votime ndihmuan demokratin Joe Biden të fitonte ndaj tij në zgjedhjet e nëntorit.

Meqenëse shumica e demokratëve nuk mbështesin dy masat që ai propozon, dukej se lëvizja kishte si synim që të treja këto propozime të mos kishin shanse për t’u miratuar.

Të martën presidenti sulmoi udhëheqësit republikanë si “patetikë”, ndërsa krisjet në marrëdhëniet e tij me udhëheqësit republikanë në Kongres, vijnë tre javë para se presidenti t’i dorëzojë pushtetin zotit Biden më 20 janar.

Republikanët e Kongresit kanë mbështetur përgjithësisht zotin Trump gjatë katër viteve të trazuara, por presidenti është i indinjuar që ata nuk i kanë mbështetur plotësisht pretendimet e tij për mashtrime zgjedhore.

Dhoma e Përfaqësuesve rrëzoi veton e Presidentit Trump për projektligjin embrojtjes të hënën. Pas kapërcimit të disa pengesave proceduriale në Sena, një votim përfundimtar mund të mbahet në ditët e e mbetura të kësaj jave./VOA