Ministria e Drejtësisë në një njoftim për mediat ka reaguar zyrtarisht për shkakrimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani, për mos përmbushje të detyrave funksionale .

Sipas Ministrisë,

“Ky vendim është marrë për shkak të mosekzekutimit të vendimit nr.1878, datë 07.10.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për vendosjen e masën së sigurimit “arrest me burg” për shtetasin Elvis Martinaj. Ky shtetas për shkak të gjendjes shëndetësore ishte akomoduar në ambientet e Spitalit Amerikan.

Bazuar në vlerësimin e Institucionit të Mjekësisë Ligjore ka rezultuar se në gjendjen shëndetësore në të cilën ndodhet i paraburgosuri, trajtimi i tij mund të kryhet në Qendrën Spitalore të Burgjeve”.

Mëngjesin e së martës, Forcat Operacionale që kanë shkuar në mjediset e Spitalit Amerikan për të kryer shoqërimin dhe marrjen në ruajtje të të paraburgosurit Elvis Martinaj, kanë hasur në pengesat e shkaktuara nga personeli i spitalit, të cilët nuk kanë plotësuar dokumentacionin e kartelës shëndetësore të të paraburgosurit Elvis Martinaj.

“Për moszbatim të vendimit të gjykatës me masën e sigurisë arrest në burg për Martinaj, është kryer shkarkimi i Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani, me motivacionin e mospërmbushjes së detyrave funksionale sipas ligjit në fuqi”

, sqaron Ministria e Drejtësisë, e cila thotë gjithashtu se Elvis Martinaj është shoqëruar në mjediset e Qendrës Spitalore të Burgjeve vetëm në mbrëmjen e datës 9 tetor.

Ndërkohë një kallëzim penal ka nisur edhe për spitalin privat ku qëndronte Martinaj, për pengim në zbatimin e vendimit të gjykatës.

“Përveç masës ndaj Drejtorit të Policisë së burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kryer kallëzim penal ndaj Spitalit Amerikan 2, të cilët në kundërshtim me ligjin kanë penguar zbatimin e vendimit të Gjykatës për masën e sigurisë ndaj shtetasit Elvis Martini”.

Në fund të kësaj deklarate thuhet se

“Qeveria Shqiptare siguron çdo qytetar se ligji është i barabartë për të gjithë dhe kushdo që bëhet pengesë për zbatimin e tij do të marrë përgjigje shembullore”./tvklan.al