Daniel Sulaj tregoi për emisionin “Stop” se bleu një motor dhe i vuri targat, konform rregullave. Më pas bleu për biznesin e tij edhe 30 të tjerë, dy prej të cilëve u bënë me targa, por të tjerët jo.

“Bëra motorin e parë me targa, e bëra dhe të dytin, por tani më thonë që nuk bëhen më të tjerët, kur unë kam blerë 30 motora. Është një problem që nuk di se çfarë të bëj. Dogana është e paguar, shteti shqiptar i ka lejuar të hyjnë në territor dhe mendoj që duhet të jepet një zgjidhje për problemin që kam”,

u shpreh denoncuesi.

Në dokumenta mjetet rezultojnë me një sedilje, ndërsa në realitet kanë dy. Ky të paktën është shpjegimi i drejtorit të targave në Vlorë, Andrea Cirja. Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për të pyetur se përse nuk targohen edhe motorat e tjerë, kur dy prej tyre u janë vendosur pa asnjë problem.

Drejtori i komanduar –

Edhe pse këtu ka një non sens, numri i vendeve në motorr është një. Këtë gjë ne nuk e korrigjojmë dot se është në librin e mjetit që keni importuar.

Gazetarja – Unë jam përpara një fakti që të njëjtat motora, dy nga ato janë targuar dhe 20 e ca të tjerë janë të pa targuar.

Drejtori i komanduar –

Edhe këta të dy janë targuar në shkelje të rregullave, që kemi bërë ne.

Gazetarja – Aaa keni bërë shkelje rregullash?

Drejtori i komanduar –

Për këtë me siguri do të mbajë përgjegjësi dikush. Në shkelje të rregullave është sepse ne nuk mund të targojmë një mjet ndryshe nga … me të dhëna teknike ndryshe nga çfarë thuhet.

Gazetarja – Kush e ka bërë? Kush janë përgjegjësit?

Drejtori i komanduar –

Sigurisht, përgjegjësit do dalin. Të vijë leja e qarkullimit e të tregoj kush janë përgjegjësit. Ne kemi bërë kontrollin fizik të mjetit.

Gazetarja – Po! Keni bërë kontrollin fizik të mjetit.

Drejtori i komanduar –

Kontrollin fizik të mjetit e kanë bërë dy specialistët tanë. Midis tyre njëri kam qënë dhe unë.

Gazetarja – Ke qënë dhe ti?

Drejtori i komanduar –

Se i komanduar jam këtu në këtë post, nuk jam drejtor. Kam qenë tek kontrolli fizik edhe thuhet numri i vendeve 2. Numri i vendeve që gjejmë ne fizikisht tek mjeti është dy. Kur bëhet ballafaqimi i dokumentave, këtu del se numri i ndenjseve një.

Por pasi u lidh në telefon me drejtorin e teknikës në Drejtorinë Qendrore në Tiranë, ky i fundit tha se do të respektohen dokumentat e origjinës.

Drejtori i komanduar – Përshëndetje drejtor!

Drejtori i Teknikës Tiranë – Përshëndetje Andrea!

Drejtori i komanduar – Si keni qënë? A jeni mirë? Ne kemi një problem shumë të madh, që na ka dalë me këto motorat që janë importuar nga Kina. Këto fizikisht janë me dy vende me 50 kubik  dhe me numër vendesh këtu, fabrika e ka nxjerrë me një.

Drejtori i Teknikës Tiranë

Me një do regjistrohet, sipas dokumentit të origjinës.

Drejtori i komanduar – Po fizikisht është me dy.

Drejtori i Teknikës Tiranë –

Hiqe! Vetëm me një! Mos ma bjer sediljen me dy!

Drejtori i komanduar – Po ky më vjen nga fabrika me sedilje 2, o shef!

Drejtori i Teknikës Tiranë –

Të vijë, nuk e di unë. Unë di që dokumenti i origjinës është me një dhe unë e regjistroj sipas dokumentit të origjinës. Unë e regjistroj me një, dokument i origjinës qe është dokument i prodhuesit, nuk dua ta di fare se çka bërë shitësi, blerësi rrugëve.

Falë interesimit të emisionit “Stop” problemi i Daniel Sulajt u zgjidh. Pas një viti që 28 motorat ndodheshin në magazinën e tij, tanimë janë të targuara dhe gati për t’i përdorur sipas interesave të tij./

tvklan.al