Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, ka njoftuar sot se portali “e-Albania” do të rihapet mes datave 15-30 Gusht për regjistrimin online të nxënësve të klasave të para dhe të dhjeta.

Kushi në një njoftim shprehet se janë marrë në konsideratë edhe shqetësimet e përcjella nga institucionet tona arsimore, prindërit dhe nxënësit, lidhur me pamundësinë në disa raste të regjistrimit për arsye teknike, apo tejkalimit të afateve të përcaktuara.

Po punojmë ngushtësisht me strukturat tona dhe me AKSHI-n për përmbushjen me sukses të procedurave. Konkretisht, në periudhën 15 – 30 gusht do të rihapet portali e-Albania për regjistrimin e nxënësve, duke u dhënë mundësi prindërve të bëjnë kërkesën, si dhe të parashtrojnë arsyen e regjistrimit në shkollën jashtë qendrës së banimit”, shkruan ministrja.

Më tej ajo sqaron se në rastet kur shkollat kanë kapacitete të mjaftueshme, mund të regjistrojnë edhe nxënës jashtë zonës së banimit, pas miratimit nga ZVA-të përkatëse mbi bazën e arsyeve të legjitimuara.

Shkolla duhet të kthejë përgjigje brenda 24 orëve pas kërkesës për regjistrim. Në rast refuzimi, të interesuarit duhet të vazhdojnë aplikimin brenda afatit në shkollën ku u takon regjistrimi”, mbyll reagimin ministrja./tvklan.al