Ende nuk ka consensus mes 27 shteteve anëtare të BE-së

Më 15 Prill ministrat për çështje evropiane do t’i rikthehen edhe njëherë vlerësimit të kornizave negociatore me Shkupin e Tiranën pas dështimeve të njëpasnjëshme për të arritur në konsensus mes 27 shteteve anëtare. Edhe letra e nëntë ministrave të jashtëm të Austrisë, Kroacisë, Çekisë, Gjermanisë, Greqisë, Irlandës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë për kryediplomatin Joseph Borrell nuk ka dhënë ende rezultat.

 “Metodologjia e re është reflektuar tashmë në projekt-marrëveshjet negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shtetet anëtare nuk kanë arritur ende një marrëveshje mbi to dhe diskutimet po vazhdojnë në Këshill. Ne po i mbështesim ato përpjekje. Shpresoj që konferencat e para ndërqeveritare të mund të thirren sa më shpejt të jetë e mundur nën presidencën e Portugalisë”, tha komisionerit për zgjerim, Oliver Varhely.

Varhely në komunikimin online me forumin  ekonomik të Tiranës tha se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare

“Komisioni konsideron se të gjitha kushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare mbi negociatat e pranimit në BE me Shqipërinë tani janë përmbushur. Kjo falë reformave të rëndësishme në ligjin zgjedhor, shtetin e së drejtës dhe sistemin e drejtësisë, duke përfshirë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat Komisioni po i monitoron nga afër. Ju mund ta dini një fjalë të urtë hebreje që thotë: Premto pak dhe bëj shumë. Sikurse edhe më njihni, unë jam njeri me pak fjalë dhe më shumë njeri i veprimit”, u shpreh Oliver Varhely.

Mungesa e progresit konkret mbetet në duart e shteteve të Evropës Perëndimore, veçanërisht Francës e Hollandës ku opinioni publik është skeptik për zgjerimin e mëtejshëm të BE.

Ndërkaq Bullgaria ka vëne veton në bisedimet e Maqedonisë së Veriut për dallimet në lidhje me historinë dhe gjuhën ndërsa pritshmëritë për zhbllokimin e situatës janë tek qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 4 prillit në këtë shtet.

Klan News