Shqipëria do të hapë më 15 Tetor në Luksemburg diskutimin e kapitujve të parë të negociatave me BE-në, për çështjet themelore. Ambasadorët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian, përfshirë Greqinë kane dhënë dakordesinë që të zhvillohet konferenca e dytë ndërqeveritare. Ky grup kapitujsh përfshin çështje si Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liritë individuale, siguria dhe kontrolli financiar.

Më 2 Tetor qeveria shqiptare dorëzoi në Bruksel pozicionin negociues dhe angazhimin e saj për reforma. Kjo vendimarrje e ambasadorëve nënkupton faktin se Shqipëria po ndahet në procesin e anëtarësimit nga Maqedonia e Veriut, e cila vazhon të ketë probleme me Bullgarinë.

Për shtetin fqinj shkak për shtyrjen e negociatave janë mosmarrëveshjet mes Shkupit dhe Bullgarisë për ndryshimin e kushtetutes maqedonase ku kërkohet që bullgarët të konsiderohen si komb shtetformues.
Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE në muajin Korrik të vitit 2022 ndërkohë që ka përmbyllur me sukses procesin screening. Qeveria shqiptare synon që brenda dy viteve në vijim të ketë realizuar disa konferenca ndërqeveritare me objektiv strategjik anëtarësimin e vendit në BE brenda vitit 2030.

Klan News