Një 22-vjeçar me iniciale F.M nga Durrësi është ndëshkuar me një gjobë prej 29.000 lekësh të reja, pezullim për 10 muaj të lejes së drejtimit dhe një zbritje prej 6 pikësh në këtë të fundit. Radari në autostradën e Fierit ka konstatuar se i riu po drejtonte mjetin me shpejtësi prej 150 km. Ai nuk i është bindur policisë për të ndaluar dhe i është drejtuar Vlorës. Në autostradën Levan-Vlorë, policia ka finalizuar ndalimin e tij dhe ka proceduar me masën ndëshkimore.

Një 19-vjeçar me iniciale A.P, i cili drejtonte mjetin në autostradën Milot-Morinë është vendosur në pranga pasi ka tentuar t’i ofrojë punonjësve të policisë një shumë parash për të shmangur masën administrative.

Në 24 orët e fundit janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh, prej të cilëve 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për mungesë të lejes së drejtimit.

Janë pezulluar 49 leje drejtimi për shkeljen e shpejtësisë, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe kundravajtje.

1760 drejtues mjetesh janë ndëshkuar me masa administrative si shkak i kërcënimit të jetës së qytetarëve./tvklan.al