Një pensioniste që telefonoi në “Shije Shtëpie” në Tv Klan ankohet se çmimet e produkteve ushqimore në treg janë rritur shumë. Telefonuesja thotë se pensioni i saj nuk arrin të mbulojë nevojat e duhura ushqimore dhe blen produktet më të lira që gjen dhe në sasi të vogël.

Ajo shton se ka hequr dorë nga disa ushqime për shkak të kostos, ndërsa ngre si problem edhe cilësinë e disa produkteve.

Pensionistja: Unë jam një pensioniste që marr 150 mijë Lekë në muaj dhe unë nuk i marr dot ato që dalin në pazar se 300 Lekë kilen e spinaqit nuk e marr dot, një. Brokolit e këto lulelakrat me 300 Lekë nuk i marrim dot, shkojmë e marrim një lakër të egër që dhe asaj i është rritur çmimi, majdanozi, kopra e të gjitha dhe marrim gjëra që janë të lira. Ne ushqehemi jo mirë. Sa i përket asaj që thotë djali, ai pulën e fshatit e shet 12-13 mijë Lekë kilen dhe atë nuk e blejmë dot. Do shkojmë të marrim një pulë tjetër atje në supermarket. Kështu që janë rritur shumë, në rast se më përpara një pulë fshati e gjeje më të lirë, tani jo më të lirë që s’e gjen por ta matësh kokën me pe.

Katerina Trungu: Zonjë kur bëni pazaret, ju ndoshta shkoni përditë dhe bëni ja 2-3 blerje për ushqimet që do të konsumoni. Çfarë blini, nëse mund të ma thuash shkurt, qartë, saktë?

Pensionistja: Marr një gjysmë kile spinaq, një gjysmë kile presh, marr nja 4-5 karota, 2-3 kokrra panxhar dhe vij në shtëpi të keqen nëna se nuk i marr dot të tjerat.

Katerina Trungu: Ke hequr dorë nga disa ushqime të caktuara?

Pensionistja: Patjetër.

Katerina Trungu: Nëse ndalemi për shembull te bulmeti se ka qenë një nga ankesat që ne kemi vënë re.

Pensionistja: Është tjetër mesele te bulmeti. Te bulmeti të shkosh ta marrësh djathin nuk e di se çfarë djathi merr sepse të gjitha djathërat janë me hile. Dalim ndonjëherë e shikojmë te fshatarët që shesin kështu, por edhe ata ia kanë gjetur marifetin, edhe ata bëjnë me hile./tvklan.al