Seanca paraprake e gjyqit ndaj Sali Berishës dhe 4 të pandehurve të tjerë është përcaktuar të zhvillohet më 24 Tetor, në mesditë.
Shorti përcaktoi gjyqtaren Flojera Davidhi, e cila do të gjykojë këtë çështje. Në seancë paraprake ish-kryeministri pritet të kërkojë edhe revokim të masës së sigurimit.
Dosja “Partizani” me 333 fashikuj u dorëzua pasditen e së martës në gjykat nga Prokuropria e Posaçme.
Gjyqtarja Davidhi ka 3 mundësi për të vendosur. Mund të pranojë kërkesën e SPAK dhe ta kalojë çështjen për gjykim, të pranojë kërkesën e avokatëve dhe të pushojë çështjen ose mund ta rikthejë në SPAK për hetime të mëtejshme, duke i lënë detyra përkatëse.
Nëse gjyqtarja pranon aktet e dosjes së SPAK, atëherë nis zyrtarisht gjyqi në themel. Në këtë çështje janë marrë të pandehur pesë persona: ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamambër Malltezi, biznesmeni Xhimi Begeja, Fatmir Bektashi dhe noterja Andia Pustina.
Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, Malltezi e Bektashi për korrupsion dhe pastrim parash. Ndërsa dy të pandehurti e tjerë vetëm për pastrim parash.
Berisha dhe Malltezi janë nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ dhe përgjatë gjithë hetimit kanë mohuar akuzat. Biznesmeni Fatmir Bektashi është hetuar nën masën detyrim paraqitje, kurse Xhimi Begeja dhe Andia Pustina janë hetuar në gjendje të lirë.
Klan News