Me 5 gjuhë të huaja, por pa punë


Me 5 gjuhë të huaja, por pa punë

21:09 24/01/2020

Dionisa Rapushaj ka denoncuar në emisionin “Stop” problemin që ajo ka prej dy vitesh me Bashkinë Mallakastër. Ajo tregon se ka përfunduar studimet për Psikologji, si dhe Master Shkencor “Psikologji Klinike” në Tiranë, me mesatare 9.3 dhe zotëron 5 gjuhë të huaja, por në ZA-në e Mallakastrës i thonë se nuk ka vende pune.

Dionisa Rapushaj: Prej dy vitesh kam një konflikt me Bashkinë Mallakastër. Unë në 2017 kam përfunduar studimet Bachelor në Psikologji dhe Master në Psikologji Klinike tek Fakulteti i Shkencave Sociale në Tiranë, me mesatare 9.3 dhe zotëroj 4 gjuhë të huaja, aktualisht po mësoj të pestën. Shkoj në zyrën arsimore dhe më thonë vende nuk ka, por lëri dokumentet këtu se të gjejmë ne kur të hapet ndonjëherë.

Por në Shkurt 2019 është emëruar Aurora Arapaj, e cila ka mbaruar për sociologji, pra është jashtë profilit dhe nuk ka konkurruar.

Dionisa Rapushaj: Kalojnë disa muaj, në Shkurt 2018 ishte emëruar si psikologe në gjimnaz një zonjë, e cila e kishte shkollimin për sociologe dhe ishte emëruar pa konkurrim dhe pa asnjë shpallje. Shkoj në Drejtorinë Arsimore, më thotë drejtoresha të kanë gënjyer, varet nga Bashkia, ne nuk kemi asnjë kompetencë.

Në Gusht të 2019-s, në krye të Bashkisë vjen kryetari Qerim Ismailaj, i cili i thotë se do të ngrinte një komision dhe do të shihte rastin. Por sërish asgjë nuk u bë. Dionisa shpjegon se specialistët duhet t’i emërojë ZA-ja, apo Shërbimi Social, por jo Bashkia.

Dionisa Rapushaj: Shkoj në Bashki, takoj ish-kryetarin, i cili në disa takime përpiqet të më bindte që zonja ishte psikologe, pastaj pas disa ballafaqimesh më thotë zotëria: E di çke, zonja psikologe nuk është. Do rrijë atje sa të dali në pension. Se si thua ti, ti them miqve të mi që do ta tërheq nderin që bëra, për ty? Për të më mbyllur gojën më çojnë 3 muaj si punonjëse sociale tek shkolla “Besëlidhja”, për të zvendësuar dikë me leje lindjeje. Më thonë zotërinjtë, ne të çuam ta bëjmë nderin, se me ato 3 muaj unë do jetoj për gjithë jetën.

Kur gazetarja shkoi për ta takuar Aurorën Arapajn, ajo nuk ishte në gjimnazi “Dervish Hekali” dhe drejtori i shkollës, Pëllumb Mehmetaj tha se ajo ishte tek një komision që mbahej për fëmijët me aftësi të veçanta.

Pëllumb Mehmetaj: Është tek spitali në komisionin e këtyre nxënësve me aftësi të kufizuara.

Pëllumb Mehmetaj: Më tha dje, që kam një komision nesër. Kemi katër nxënës me probleme, me aftësi ndryshe.

Për këtë arsye, gazetarja kontaktoi kryetarin e komisionit, i cili tha se komisioni nuk u zhvillua.

Kryetari i Komisionit: Është e vërtetë, që zhvillohet një komision për fëmijët me aftësi të kufizuara. Dje bëmë komisionin. Dje ishim në fshatra, sot nuk do të ketë komision, sepse unë kisha një hall familjar, operova vëllain. Mora leje dje atyre, u thashë, që sot nuk e bëjmë dot komisionin. Unë kam njoftuar psikologen që dje.

Pas njoftimit të drejtorit se psikologia nuk ishte në komision, drejtori tregon se kishte qenë në palestër.

Pëllumb Mehmetaj: S’kishte qenë në komision! Kishte qenë brenda territorit të shkollës, në palestër poshtë.

Gazetarja: Po është zyshë fizkulture në palestër?

Pëllumb Mehmetaj: Unë e kam marrë disa herë në syrin tënd, po të jetë këtu do t’i them edhe unë dy llafe prapë.

Në një ballafaqim me Aurorën, kjo e fundit pohon se ka hyrë në punë pa konkurs, pasi të gjithë në këtë formë kanë përfituar vendin e punës.

Aurora Arapaj: Ky vendi ishte bosh, unë kërkoj punë, më thonë po. Tani është faji im, duhet ti thoja unë jo?

Gazetarja: Zonjë e nderuar me çfarë konkurrimi ke hyrë në punë?

Aurora Arapaj: Ke shumë të drejtë, janë 4 psikologe. Ka hyrë ndonjëra me konkurrim që të hyja unë me konkurrim këtu? Nëqoftëse procedurat janë bërë për të katërta njësoj, do bëheshin edhe për mua.

Ndërsa në Bashkinë e Mallakastrës, nënkryetari Zamir Malasi, premtoi se bashkia do të verë në dijeni ZA-në Mallakastër, si dhe MAS dhe do ndiqet e gjithë procedura me konkurs./tvklan.al

Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi