Me 5 insulina në ditë dhe debitor, Kodra: Si do të jetojë ky burrë?

Me 5 insulina në ditë dhe debitor, Kodra: Si do të jetojë ky burrë?

22:07 26/06/2019

“Stop” është ndalur në Cërrik për një problem të zonjës Liri Miraka. Ajo tregon se bashkëshorti i saj Gëzimi, është i sëmurë me diabet me 5 insulina në ditë. Në vitin 2015, ata bënë dokumentet për Kemp, që e përfituan për 3 vjet. Por në muajin Prill, Gëzimi nuk e mori më Kempin dhe i thanë se dosja kishte shkuar për verifikim.

Tashmë jo vetëm i kanë prerë Kempin, por e kanë nxjerrë debitor e duhet të kthejë 700 mijë lekë të vjetra.

“Unë jam bashkëshortja e Gëzim Mirakës. Është i sëmurë me diabet, i tipit të lartë. Bën insulina, 5 copë në ditë. Në 2015-n ne bëmë dokumentet për Kemp. I plotësuam të gjitha sipas rregullave edhe nga lidhën Kempin. Mori 3 vjet Kemp. Në muajin Prill nuk na e dhanë. Na thanë që ka ikur dosja në Tiranë për verifikim. Ai i Cërrikut na tha që ju është ndërprerë Kempi, kur ka dy ditë na mori në telefon po ky, Agim Ymeri nga Cërriku, edhe nga tha që zotëri i nderuar, juve jeni debitor në shtet. Ne u shastisëm me këtë”, tregon zonja Liri Miraka.

Në Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Cërrikut, Roxher Ibrahimi, Inspektori pritës shpjegon se dosja është gjetur e parregullt nga auditi.

“Rasti i Gëzim Mirakës është paraqitur pranë Kempit tonë në Elbasan, në datë 7 Nëntor të 2018-s dhe është deklaruar i pa aftë për punë për 1 vit, nga Kempi ynë në Elbasan. Me këtë vendim dega e Përfitimeve ka vazhduar t’i bëjë pagesat qytetarit për gjithë periudhën e cila bëhet muaji pas muaji. Me ardhjen e auditit që erdhi rreth muajit të Dhjetor, në këtë rast kontrolli i Auditit ka parë në dosjen e Gëzim Mirakës një parregullsi dhe e ka lënë për detyrim paraqitjen e zotërisë në Kemp Epror. Dhe ky i fundit, si organi më i lartë administrativ për pjesën e Kempit, vendos ta nxjerrë zotërinë të aftë për punë. E kemi marrë këtë përgjigje në 30 Prill të 2019-s dhe ka ardhur pranë përfitimeve të degës tonë në Elbasan, në 6 Maj 2019. Dhe për periudhën Janar, Shkurt, Mars dhe Dhjetor, që e ka marrë pa të drejtë, duhet t’i ndërpritet dhe del debitor”, thotë Ibrahimi.

Në ISSH-në e Elbasanit, Jonida Beqiri, kryetare e degës së përfitimeve, thotë se rasti është vlerësuar që nuk përfiton, me arsyetimin se ka derdhur kontribute. Vendimi i Kempit Epror, sipas saj, është i pakontestueshëm.

“Dosjet janë dërguar në muajin Mars 2019. Në këtë moment nga dega e përfitimeve është bërë hapja në sistem i këtyre pensioneve që të pezullohej pagesa në mënyrë që të mos thellohej masa debitore, nëse do të kishim ndonjë problem nga Kempi Epror. Rasti, pasi është vlerësuar nga sektori i ekspertizës mjekësore në Kempin Epror, më 24 Prill 2019, është marrë një vendim ‘pa invaliditet’. Është cilësuar si i tillë nga data 1 Dhjetor 2018, me arsyetimin që është i siguruar e kushtet e invaliditetit”.

Nëse vërtetë ka hedhur kontribute një muaj para se të shtrohej, ku ishte ky komision që nuk e kapi që në fazën fillestare? Nuk duhet të lejonte qytetarin të merrte 3 vjet rresht Kemp dhe në një moment t’i thoshte që stop.

“Nga ana mjekësore është cilësuar se pacienti vuan prej 10 vjetësh, me sëmundjen diabet. Ndërsa përsa i përket vërtetimit që është i siguruar, është siguruar më datën 1 Tetor 2015. Ndërkohë që shtrimin në spital zotëria e ka një muaj pas kësaj date dhe nga Kempi i rajonit, është vendosur që të caktohet me invaliditet. Ndërkohë nga Kempi Epror ndërpritet kjo pagesë”.

Meqenëse Kemp nuk ka, pension nuk ka, duhet të paguajë edhe një detyrim që deri diku ndoshta është çështje institucionale, sepse si qytetar atij i ka lindur e drejta e përfitimit e ka tërhequr deri në momentin e fundit, nuk ka ditur nëse dosja do të kapet me shkelje apo jo…

“Vendimi i Kempit Epror është i formës së prerë. Kjo pjesë do të mbetet debitor dhe vendoset me vendim të mbylljes së pensionit. Në momentin që zotëria do të dalë në pension pleqërie, kjo periudhë do t’i ndalet”.

Në studio, Saimir Kodra tha se këtë detyrim që Gëzim Miraka ka do ta paguajë emisioni “Stop”. Megjithatë ai pati edhe një koment: “Po mirë, dakord KMCAP-i nuk i takon, ja ai zotëria mund të punojë, se kështu e kanë menduar këta mjekët, që me 5 insulina në ditë mund të punosh. Punon për insulinat… Iku kjo. Ishte në sistemin e Kemp-it, doli nga ky sistem. A e shikoni ju në sistemin tuaj, që nuk ka, punë jo, asistencë jo, pension jo, me çfarë do të jetojë ky njeri? A e keni bërë hesapet, këto lekët, taksat tona që i merrni, ku i çoni? Si do të jetojë ky burrë. Tani do t’ia paguajë emisioni Stop gjithë detyrimin e KMCAP-it, por çfarë do t’i ofrojë shteti? Ku do të hajë dhe do të pijë? 5 insulina në ditë, ku do t’i gjejë?”/tvklan.al

Të ngjashme
UKT