Deputetja neozelandeze pedalon për të lindur vajzën

Një deputete nga Zelanda e Re bëri bujë në mediat botërore me gjestin e saj të pazakontë, i hipi biçikletës për të shkuar në maternitet, pasi ndjeu se kishte ardhur momenti për të sjellë në jetë vajzën e saj.

Julie Genter postoi këtë foto në Facebook, që tregon momentin kur ajo shpejtonte me biçikletë për të mbërritur në maternitet. Fotot u shkrepën nga bashkëshorti i saj, i cili e ndoqi nga pas po me biçikletë.

Në Facebook, ajo shkroi se kishte sjellë në jetë një vajzë, e cila ishte shëndoshë e mirë. Zgjedhjen për të pedaluar drejt maternitetit thotë se e kishte bërë rastësisht.

Megjithatë, si pjesëtare e partisë së gjelbër të Zelandës së Re, 41 -vjeçarja është mbështetëse e lëvizjes me biçikleta në vend të automjeteve që shkaktojnë ndotje.

Edhe para 3 vitesh, ajo bëri të njëjtin veprim, pedaloi për në maternitet për të sjellë në jetë fëmijën e parë. Në atë kohë ajo ishte ministre për Çështjet e Grave.

Tv Klan