13 vite më parë, konkretisht më 28 Gusht të vitit 2007, një i ri mbeti i plagosur në këmbë gjatë një sherri mes disa personave në një lokal të kryeqytetit në rrugën e Kavajës. Për këtë ngjarje është arrestuar dhe dënuar Fation Muharremi 36 vjeç.

Në vitin 2016, fotografia e tij ishte publikuar në faqen e Policisë së Tiranës, në listën e personave më të kërkuar për veprën penale të vrasjes.

Por e vërteta është se 36-vjeçari i komunitetit rom, është dënuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës më 10 Qershor të vitit 2009 për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Erando Kurteshit. Ky i fundit mbeti i plagosur në këmbë jashtë rrezikut për jetën. Kontradikta tjetër qëndron në faktin se kur Policia e Tiranës e kishte shpallur në vitin 2016 si një nga personat më të kërkuar, Fation Muharremi ka qenë i arrestuar në Greqi për llogari të autoriteteve shqiptare, pikërisht për ngjarjen e ndodhur në vitin 2007 në kryeqytetin shqiptar.

Pas plagosjes në Tiranë, Fation Muharremi ishte arratisur drejt shtetit grek, ku dhe ishte arrestuar. Në vendimin e Gjykatës së Tiranës thuhet gjithashtu se Fation Muharremi i drejtoi armën në kokë të plagosurit duke e shkrepur, por pistoleta ishte bllokuar. Këtë pretendim, Fationi e mohon. Në një bisedë telefonike me emisionin “Uniko” nga burgu i Reçit në Shkodër ku vuan dënimin, 36-vjeçari tregon të gjithë dinamikën e vrasjes.

Ai kërkon rigjykim dhe një dënim më të lehtë, sepse siç thotë vetë, nuk përfaqëson atë person të rrezikshëm siç e ka përshkruar policia. Fationi thotë se dënimi me 11 vite burg, i ka kushtuar shtrenjtë sepse ka humbur fëmijët e tij.

A ishte drejtësia e drejtë me Fation Muharremin apo penalizmi i tij ishte më represiv seç duhej? Për një plagosje në këmbë ai është dënuar me 11 vite burg  dhe pa asnjë të drejtë për të rivendosur në afat për rigjykim dënimin ndaj tij. /klanplus