Mirela është nëna  e dy djemve,  por në “Ka Një Mesazh Për Ty” është djali i vogël arsyeja që e ka sjellë. Soirdjo është 16 vjeç dhe siç shprehet Mirela në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, është “speciali” i familjes. Këtë veçori  të tij, prindërit e vunë re në moshën 2-vjeçare kur Soirdjo nuk kishte filluar ende të fliste fjalët e para apo të reagonte.

Mjekët në Burrel, ku jetonin asokohe iu rekomanduan të shkonin në Tiranë dhe ta vizitonin për dëgjimin. Testet treguan që Soirdjo ishte krejtësisht në rregull dhe ndërsa prisnin një diagnozë, familja u shpërngul në kryeqytet. Një ditë, krejt rastësisht, Mirela merr përgjigjen e gjendjes së të birit.

Mirela: Një ditë në autobus, kur po shkoja për te motra ime, një grua ishte me fëmijën e saj, me vajzën.  Soirdjo, sa herë që ne futeshim në autobus, ulëriste sepse donte vendin që të ulej ngaqë nuk fliste, reagonte duke bërtitur. Kjo zonja, sapo më pa më tha “të lutem, a mund ta ulësh djalin këtu afër vajzës time?” Faleminderit i them dhe e ula.

Më thotë kjo zonja “djalin e ke autik?” Në moment shtanga sepse nuk e dija ç’do të thotë autizëm dhe që kemi edhe atë turpin që s’e kemi të sëmurë fëmijën dhe i them jo, jo është thjesht i llastuar dhe do të ulet. “Më fal”, thotë, “se ta thashë kështu por ngaqë vajza ime është autike dhe nga mënyra që kështu reagon kur hipën në autobus dhe mendova që edhe ti kishe djalin”.

Aty, si mamatë që janë kurioze i thashë po çfarë ka vajza? Ndërkohë që ajo tregonte për vajzën që reagonte dhe kishte të njëjtat simptoma si Soirdjo…që rrinte vetëm…

Ardit Gjebrea: Ty tu duk sikur po fliste për Soirdjon.

Mirela: Direkt këtë mendova, thashë janë të njëjta gjëra që djali im ka. Unë mezi prisja të nesërmen për të shkuar te mjekja, s’bëhej fjalë. Të nesërmen shkuam te “Nënë Tereza”. Aty pas vlerësimeve, pas testeve, pas të gjithave që iu bënë, Soirdjo, na thanë që është me autizëm.

Ardit Gjebrea: Si e pritët këtë lajm dhe për çfarë u bëtë gati?

Mirela: Gjëja e parë që  të shkon në mendje është t’i japësh fund jetës sepse s’e përballon dot, Ardit. Është shumë e dhimbshme, te fëmija është… mos e provoftë asnjë, të marrësh vesh që ka një sëmundje të pashërueshme. Mes lotëve, dhimbjes i thashë vetes që jo, ti nuk do e bësh atë gabim, ti do luftosh për fëmijën tënd, do e bësh këtë që ai t’ia dalë mbanë, të luftojë kundër sëmundjes dhe të bëhet të paktën te ai 80% që mjekët më dhanë shpresë që bëhet./tvklan.al