Në vend të një konference për shtyp me gazetarët për koncertin e tij të parë në Tiranë, Ermal Meta, preferoi një takim me admiruesit e tij. Të shumtë në numër, në sallën “UNESCO” të Muzeut Historik Kombëtar, kantautori, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe Ambasadorit të Italisë në Tiranë e nisi bashkëbisedimin për Ermalin, emigrantin shqiptar në Italinë e para 24 viteve.

Të bërit muzikë ishte një urgjencë për të. Këngët e para i shkroi pasi theu këmbën në një ndeshje basketbolli me të vëllain dhe iu desh të qëndronte për tre muaj në shtëpi. Kohë e mjaftueshme për të mësuar kitarën dhe për të hyrë në tregun italian të muzikës, sot një artist i suksesshëm, i pari shqiptar fitues i Sanremos, që përfaqësoi Italinë në “Eurosong”.

Në projektet e tij ende nuk është një këngë në gjuhën shqipe apo një bashkëpunim me një artist shqiptar me gjithë krenarinë për vendin e origjinës.

Veten e cilëson si njeri të drejtpërdrejt, që nuk bën muzikë për famë e që tregu anglez i muzikës nuk ka nevojë për të e as ai.

Koncertin në shesh dhe dorëzimin e “Çelësit të Tiranës” nga kryebashkiaku Erion Veliaj e priu me “Piccola Anima”.

Tv Klan