Nëna e dy vëllezërve të vrarë Viktor dhe Besmir Haxhia, zonja Marte Haxhia, i bën thirrje shtetit që të zbardhë sa më parë vrasjen e dy djemve të saj.

Në një intervistë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, ajo se humbja e dy fëmijëve i ka mbyllur derën e shtëpisë. Bashkëshorti i saj është mbyllur në vetëvete, thotë zonja Marte.

Ndërsa ka një thirrje edhe për dëshmitarin e drejtësisë, Klevis Alla, nga i cili kërkon që të tregojë të gjithë personat e përfshirë, që nga urdhëruesit e deri tek ekzekutuesit.

Spartak Koka: Çfarë kërkoni sot 9 muaj pas ngjarjes?

Motra: 9 muaj pas ngjarjes, humbjes së madhe që ne kemi pasur në familje, kërkojmë drejtësi. Dua që e drejta e vëllezërve të mi të dali. Nuk dua që mbi vëllezërit e mi të hidhet baltë për gjëra të tilla që nuk i kanë pasur. Dua thjesht drejtësi, ta di pse u bë dhe kush e bëri.

Spartak Koka: Sot ju jeni të qartë apo të pasqaruar për të vërtetën?

Motra: Ne jemi të pasqaruar për të vërtetën, ne nuk e dimë se çfarë ndodhi, nuk e dimë nga na erdhi. Thjesht duam ta dimë pse.

Spartak Koka: Zonja Marte, çfarë mund të më thuash. I ke pasur djemtë dritë të syve. Është një humbje që askujt nuk do doje t’ia uroje, as armikut.

Nëna: M’u mbyll dera.

Spartak Koka: Sot t’i gjen forcën të flasësh, çfarë kërkon? Çfarë apeli ke për prokurorët dhe ata oficerë policie që po e hetojnë rastin? Çfarë kërkon si nënë?

Nëna: Unë kërkoj nga drejtësi të zbardhet çështja e dy djemve të mi. Deri sa fëmijët e mi s’kanë qenë të implikuar në asnjë ngjarje kriminale, se po të kishin qenë në ndonjë ngjarje kriminale edhe në Shqipëri ose në vende të huaja, ata do të ishin edhe në kërkim që kur kanë thënë se Besmiri ka mbaruar 9 vjet burg në Greqi, 4 në Kosovë, Belgjikë edhe… se nuk po i përmend të gjitha se kanë vënë aq sa djali im do të ishte në burg që 14 vjeç e deri atë ditë që u vra. I kërkoj drejtësisë që të zbardhet çështja e djemve të mi, të dalë sa më shpejt e vërteta se ka 9 muaj që po presim. Sikur të kishin bërë krime, sikur të kishin vrarë në mënyrë makabre dy djemtë e mi, nuk do t’i vrisnin ashtu se as kufomat nuk ja u kemi parë me sy, për 3 orë pa i parë me sy. Të mendojnë se kanë lënë një nënë e një babë duke qarë, motrat e veta dhe një djalë jetim 2 vjeç e gjysmë që s’ka ku të mbështetet, ne jemi të shokuar për ngjarjen që na ka ndodhur.

Spartak Koka: Po Kola, bashkëshorti juaj, si po e përjeton?

Nëna: Ai e përjeton shumë keq. Mezi flet, vjen i mbyllur edhe nuk flet dot as me ne se i ka humbur dy krahët e vetë. Vetëm po marrim frymë. Dua të zbardhet e vërteta. Ne presim përgjigje prej shtetit deri sa fëmijët e mi nuk ishin në ndjekje të ndonjë ngjarje kriminale ose të kishin vrarë njerëz. Asnjë gjë nuk kishin, nuk kanë pasur asnjë konflikt me njeri.

Spartak Koka: Po arsyeja?

Nëna: Atë po kërkojmë edhe ne.

Motra: Arsyen po kërkojmë edhe ne nga drejtësia, pse? Kur ata nuk kanë pasur asnjë precedent penal, nuk kanë pasur asnjë konflikt asnjëlloj gjëje, kanë parë thjesht punën e tyre, familjen e tyre, nuk e do nga erdhi. Këtë duam, arsyen pse u ekzekutuan ata të dy. Cila ishte arsyeja?

Spartak Koka: Ju kërkoni drejtësi, por drejtësia sot që e kemi thënë fjalën tonë ku ka të akuzuar konkret. Çfarë mund të themi tani? Sepse kemi nga një anë një dëshmitar të penduar i cili është i bindur në ato që thotë, i ka dhënë vërtetësinë policisë sepse është gjetur arma e krimit dhe makina e përdorur në atentat. Ndërkohë, ai përmend një emër i cili më pas ka rezultuar se ka qenë në shtëpinë tuaj. Çfarë mund të na thoni?

Motra: Ne kërkojmë nga ai që është shpallur i penduar për policinë, të tregojë të vërtetën e ngjarjes sepse ai e di se kush kanë qenë autorët, le të thotë të vërtetën.

Spartak Koka: Ai thotë të vërtetën që ka qenë Talo Çela?

Motra: Unë mendoj se një person nuk mund të jetë në dy vende njëkohësisht.

Spartak Koka: Sa i besueshëm është për ju kur ky person thotë që mua më kanë thirrur, më kanë kotraktuar për të qenë i pranishëm në vrasjen e vëllezërve Haxhiaj dhe i ka treguar policisë ku është makina dhe ku janë armët?

Motra: Ai mund të ketë qenë vetë personalisht përderisa e ka ditur ku janë armët dhe makina me të cilën është kryer vrasja, por për pjesën tjetër ne nuk mund të flasim.

Spartak Koka: Zonja Marte, çfarë mund të më thuash për dëshmitarin?

Nëna: Për dëshmitarin mund të them se ai të gjejë edhe urdhëruesin deri sa flet për njërin për tjetrin jo ka qenë në makinë, jo ka qenë para-mbrapa, për persona të tjerë, të tregojë të vërtetën se ai i di të gjitha. I di ai përderisa janë gjetur armët edhe makina, i di të gjitha, që nga organizimi i ditës së parë edhe deri në ekzekutimin.   /tvklan.al