Me gruan dhe vajzën në makinë, ekzekutohet me breshëri plumbash 47-vjeçari



Me gruan dhe vajzën në makinë, ekzekutohet me breshëri plumbash 47-vjeçari

20:25 29/12/2020

Një bashkëpunëtor i bosit famëkeq të drogës Joaquín ‘El Chapo’ Guzmán, u ekzekutua brenda makinës së tij, në veri të Meksikës. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe vajza e tij 8 muajshe.

47-vjeçari Ignacio Paez Soto, pjesë e kartelit Sinaloa, ndodhej i ulur në automjet së bashku me bashkëshorten, kur një grup personash hapën zjarr në breshëri në drejtim të tyre, në një parking në Caborca, Sonora të Meksikës.

Paez, i njohur gjithashtu si El Nacho dhe C1, u qëllua më shumë se 50 herë dhe u shpall i vdekur në vendin e ngjarjes. Vajza e tij e vogël mori një plagë në krah dhe u dërgua me urgjencë në spital. Gjendja e saj nuk dihet ende.

Ndërsa nëna e fëmijës nuk mori dëmtime, por mësohet se u trajtua nga mjekët për shkak të gjendjes së shokut. Paez ishte dënuar me 20 vjet heqje lirie për trafik droge nga një gjykatë meksikane, por mbetet e paqartë kur dhe pse ishte liruar nga burgu.

Ignacio Paez Soto

Sipas asaj që shkruan DailyMail, Paez mbikëqyrte operacionet e kartelit Sinaloa në shtetin verior të Sonorës, që prej 2002-t. Karteli i Sinaloa së bashku me kartelin Jalisco New Generation janë dy prej organizatave më të mëdha dhe më të fuqishme të trafikut të drogës.

Megjithatë ky kartel ka pasur përplasje për pushtet, që kur El Chapo u kap në 2016-n dhe u ekstradua në Amerikë në 2017-n, për drogë.

Tre djemtë e El Chapo, të njohur ndryshe si Los Chapitos, kanë luftuar për kontrollin e organizatës kundër një rrjeti të krijuar nga Rafael Caro Quintero. Caro Quintero është në kërkim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vrasjen e agjentit të antidrogës Kiki Camarena, në 1985-n.

El Chapo

Ndërkohë, El Chapo u dënua me burgim të përjetshëm në SHBA, në 2019-n, pasi u shpall faktor për disa vepra penale për drogë./tvklan.al






Të ngjashme