Policia e Tiranës ka arritur të sekuestrojë mbi 1 kilogram heroinë gjatë një operacioni të finalizuar të hënën. Në pranga ka rënë një i ri 31-vjeçar me iniciale E.Z., banues në kryeqytet.

Mësohet se autoritetet kishin informacione të marra në rrugë operative se ai mbante drogë në banesën e tij. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, u gjet sasia e drogës, e cila ishte ndarë në doza gati për shitje.

Nën sekuestrim u vu edhe një makinë dhe një aparat celular. Policia thotë se po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet të jashtëligjshëm.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./tvklan.al