Ai është padyshim një artist me një stil mjaft unik, i cili ndërthur përmes muzikës së tij jaret shkodrane me muzikën jazz e muzikën klasike me folkun. Bëhet fjalë pikërisht për kantautorin e njohur shqiptar, i cili ka bërë emër me muzikën e tij në skenat e rëndësishme ndërkombëtare, Vlashent Sata. Prej vitesh ai jeton ne Francë, por nuk e ka harruar asnjëherë Shqipërinë dhe vjen këtu herë pas here dhe zhvillon koncerte për publikun, por jo vetëm kaq.

Ai është organizator i një festivali që mbahet për të tretin vit në Theth dhe që ka si qellim promovimin e natyrës se bukur shqiptare. Sot Vlashent Sata ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur për videoklipin e tij më të fundit, “Me jetu”, një këngë e frymëzuar nga jeta e tij dhe e shumë të rinjve shqiptarë.

“Me jetu” është një thirrje për gjërat që po shkojnë keq në vend. Ai është pjesë e kauzave të ndryshme, një prej të cilave do të jetë edhe një koncert në Gjakovë në datën 6 Shtator në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore, promovim përmes artit” .

“”Me jetu” ka qenë një këngë që ka lindur në fund të Majit për mua. Është një këngë shumë personale që flet për raportin me vendin dhe shpresën që sikur është zhdukur prej shumë kohësh dhe historia duket sikur përsëritet. Kisha frikë se kënga do të dukej si moraliste, por është pritur shumë mirë. Kur ia kam treguar miqve dhe njerëzve të zemrës përpara se ta regjistroja të gjithë më thoshin të bukura i ke të gjitha këngët, por me këtë ke kaluar veten. Leonardo Soili që më ka ndihmuar për post produksionin ka bërë një punë të shkëlqyer. Me këtë këngë kam dashur të them shumë gjëra, një ndër ta është që nëse do që gjërat të ndryshojnë duhet të ngrihemi dhe mos presim. Dëgjoj gjithandej njerëz që duan të largohen dhe më vjen keq. Kam 18 vjet që jam larguar dhe sa herë kthehem më duket sikur historia përsëritet. Edhe njerëzit që kanë diçka për të dhënë duket se e vetmja zgjedhje është të largohen”, tregoi Vlashent Sata.

Kantautori gjithashtu është edhe ideator i festivalit të veçantë “Za Fest” që nisi para tre vitesh për të bërë bashkë disa artistë për të pastruar mbeturinat në Theth dhe gjatë atyre ditëve të zhvillohej festivali me këngë e rrëfenja të asaj zonë./tvklan.al