Një ditë pas konfirmimit në detyrë nga Kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka mbajtur një fjalim në Bazën Ajrore të Farkës ku organizohet një aktivitet për menaxhimin e zjarreve.

Peleshi falenderoi të gjitha forcat që morën pjesë në shuarjen e zjarreve dhe tha se ka parë devocion tek puna e ushtarëve shqiptarë dhe zyrtarëve. I tillë, ishte edhe ai i prefektit të Vlorës, Flamur Mamaj.

“Më ka prekur kur e kam parë për netë të tëra pa gjumë, kur e kam parë të marrë mjetet në majën e Llogarasë për të punuar me ushtarët për të mbrojtur parkun tonë kombëtar të Llogarasë”, tha Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes tha se duhet punuar për një qasje të re të Mbrojtjes Civile dhe është rasti për të mbajtur shënime dhe të nxirren mësime nga ngjarjet e të shkuarës.

“Na duhet të reflektojmë, ne kemi mbajtur shënimet tona”, tha Peleshi.

Në aktivitetin e kësaj të premteje ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al