Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ishte e ftuar këtë të martë në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ajo foli rreth vendimit të fundit të qeverisë që maskat të mbahen edhe në ambientet e jashtme.

Ministrja i ktheu përgjigje edhe deklaratave të kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila ka thënë se nuk do ta vendosë maskën pavarësisht gjobave. Manastirliu u shpreh se të gjithë drejtuesit politikë duhet të jenë bashkë në luftën kundër koronavirusit dhe jo të bëjnë thirrje kundër masave.

“Është një çështje shumë serioze kjo e pandemisë në Shqipëri. Të përballesh me epideminë që ndodh një herë në 100 vjet nuk është e lehtë dhe të përpiqesh që me gjithë kapacitetet dhe forcat e tua një vend si Shqipëria që ka vuajtur shumë në të shkuarën edhe sa i përket sistemit shëndetësor ku zotërinjtë dhe zonja në fjalë ka qeverisur, nëse do të ishin vite më parë do e trajtonim komplet ndryshe këtë diskutim. Sot jemi duke diskutuar nëse duhet të vendosim maska e cila është barrierë mbrojtëse prej tekstili për të mbrojtur familjet, veten dhe për të mbrojtur shëndetin. Si ka mundësi që mjeti më efektiv, i gjithëpranuar kudo në botë sot të vendosësh t’u bësh thirrje qytetarëve të tu, kjo do të thotë të mos duash shëndetin e qytetarëve të vendit tënd. Është shumë serioze kjo histori, flasim për shëndetin e njerëzve, për ata 244 qytetarë pacientë në spitalet Covid që janë duke vuajtur jo me maskë lecke, me maskë oksigjeni. Në qoftë se kushdo nga politikanët nuk e kupton se çfarë do të thotë të vendosësh një maskë lecke, ta refuzosh atë dhe në vend të kësaj të detyrohesh të vesh nga pakujdesia e atij tjetrit që nuk respekton rregullat dhe nesër të intubohesh dhe të arrish të thuash mos zbato rregullat? Po pse me kë jemi në luftë ne se s’po e kuptoj? Me kë jemi? Me njëri-tjetrin? Ne duhet të jemi bashkë të gjithë”, tha ministrja. /tvklan.al