Menjëherë pas është njohur me rastin e tyre, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka pritur në ambientet e ministrisë dy nxënës me një inteligjencë të admirueshme.

“Një takim me të vërtetë shumë impresionues me Anxhelon dhe motrën e tij Deborah, të cilët më mahnitën me inteligjencën dhe sjelljen e tyre për t’u admiruar”, nënvizon Ministrja Kushi në postimin e saj nëpërmjet një videoje shoqëruese.

Anxhelo është vlerësuar nga ekspertët ndërkombëtarë me një nivel inteligjence tre herë më të lartë se moshatarët e tij. Për ne është shumë e rëndësishme që fëmijë të tillë të përkrahen, prandaj do të përpiqemi e punojmë fort për t’i mbështetur në rrugën e duhur!”, shprehet ndër të tjera ajo.

Në videon e publikuar, Ministrja Kushi cilëson se menjëherë kur ka mësuar mbi Anxhelon, “një djalë me një nivel inteligjence 3 herë më shumë se sa bashkëmoshatarët e tij, sipas një ekzaminimi të realizuar në Francë, u impresionova dhe kisha shumë dëshirë ta njihja nga afër në mënyrë që të shikojmë se çfarë mbështetje mund t’i japim Anxhelos”.

Gjatë takimit, ajo u ka dhënë gjithashtu Anxhelos dhe motrës së tij, Deborah, nga një dhuratë simbolike duke u shprehur: “Unë kam menduar t’ju jap një dhuratë sot, kjo është vetëm sa për sot meqë sapo u njohëm, por patjetër që ne do të takohemi përsëri bashkë. Dhe ne do ta ndjekim hap pas hapi, Anxhelon dhe motrën, sepse për ne është shumë e rëndësishme që për fëmijë që kanë një inteligjencë të tillë të mbështeten siç duhet. Kështu që, unë sot do t’ju dhuroj nga një tabletë të dyve dhe disa libra”.

Në fund, Ministrja Kushi nënvizon se “të gjithë bashkë do të përpiqemi shumë dhe do të punojmë fort që këta fëmijë të rriten të shëndetshëm në radhë të parë, por mbi të gjithë këtë inteligjencë që kanë, ne t’ja zhvillojmë akoma më shumë dhe t’i orientojmë siç duhet”./tvklan.al