Për shkak të pozicionit, petkut dhe detyrës, figurat politike nuk i shohim shpesh në planin përtej saj, në dimensionet e jetës së përditshme, familjare ku janë edhe ata njerëz të zakonshëm. Mimi Kodheli është një grua prej 30 vitesh nëë politikë, me një karrierë të gjatë ku ka mbajtur poste të rëndësishme.
Por përpara se të ishte kështu si ne e njohim sot, ajo ndan me programin “Rudina” në Tv Klan foto dhe rrëfime nga koha e fëmijërisë dhe rinisë së hershme. Në një foto, ku është një vajzë e vogël në krahët e të atit dhe pranë tyre e ëma, i bie menjëherë në sy ky detaj që i kujton lidhjen e fortë me babain.
Ai është ndarë nga jeta 35 vite më parë kur Mimi sapo ishte bërë nënë. Me emocion, ajo shprehet se do të donte shumë ta kishte edhe një herë pranë dhe se nuk resht asnjëherë së komunikuari me të.
Mimi Kodheli: Babai nuk jeton. Babai është ndarë nga jeta prej 35 vitesh.
Rudina Magjistari: Shumë herët!
Mimi Kodheli: Po. Djali im ka qenë vetëm 4 muajsh kur ai është ndarë nga jeta. Unë kam qenë vetëm 25 vjeçe.
Rudina Magjistari: Ai vetë paska qenë i ri.
Mimi Kodheli: Shumë i ri, as 55 vjeç. I kam jetuar me shumë intensitet marrëdhëniet e mia me babain. Më mungon, do të kisha dhënë edhe jetën time për ta pasur edhe një herë në tryezë. E di që nuk është e mundur, por e di që më dëgjon gjithsesi dhe unë jam një person që bisedoj me babain tim ende. Duket e çuditshme, ndonjëherë duket thuajse në limitet e së pamundurës apo një fantazi imja ose një skenë totalisht surreale, por në fakt jo, është e vërtetë sepse ai është pranë familjes sime, ai është pranë nesh, ai është pranë meje dhe kështu që është e thjeshtë për mua të vazhdoj të komunikoj me të dhe të vazhdoj të mbush atë boshllëk që ai ka lënë duke u larguar kaq herët./tvklan.al