“Kishte 17 vjet që ishte konvertuar në mysliman. Nuk kishte njohje me të plagosurit”

Rudolf Nikollaj, i riu që këtë të hënë sulmoi me thikë 5 besimtarë në xhaminë në Rrugën e Kavajës, duke i lënë ata të plagosur, kishte rreth 17 vjet që ishte konvertuar nga katolik në mysliman. Teksa mbeten mister motivet që e çuan të ndërmerrte një akt kaq të rëndë, miku i tij Xhevdet Spahiu, me të cilin kishte njohje prej shumë vitesh mohon që pas sulmit të fshihet një akt terrorist. Ai tregon në një intervistë për Klan News se Rudolfi ishte me kartelë dhe se ishte kuruar me ilaçe.

Por sipas Spahiut, 34-vjeçari nuk pranonte të merrte mjekimin, e kjo sipas tij është dhe shkaku i ngjarjes së kësaj të hëne. Spahiu tregon më tej se e kishte takuar 34-vjeçarin rreth 2 javë më parë në Tiranë dhe se ftesën për t’u ulur në kafe e kishte refuzuar, duke u shprehur se kishte frikë për jetën. Spahiu thotë se këto ishin thjeshtë paranoja, e se në dijeni të tij, jeta e Rudolfit nuk kërcënohej.

Spahiu e përshkuan mikun e tij një njeri fantastik, që ndihmonte njerëzit e tjerë dhe një shembull për vëllezërit e motrat e tij.

Ju keni akoma kontakte me Rudolfin, gjatë këtyre kohëve keni pasur frekuentim?

Unë e kam takuar rastësisht para dy javësh, këtu afër Klanit. E kam ftuar për kafe, më ka thënë që nuk ulem në kafe, mua më ndjekin, duan të më vrasin, gjëra të tilla, por ka pasur probleme, kjo është kryesorja. Edhe ngjarja për shkak të problemeve shëndetësore.

Ju mendoni se janë gjëra të imagjinatës së tij apo kishte diçka konkrete në shqetësimet që të ka shprehur?

Besoj që është çështje imagjinate, konspiracione, gjëra që ka menduar, nuk di ç’të them. Unë ka shumë vite që e njoh, ai ka jetuar disa vite në Angli, kur është kthyer ka shfaqur këto probleme.

Pse në xhami, mendoni se ka lidhje me besimin e tij fetar?

I sëmuri mund të jetë edhe katolik edhe mysliman, mund të jetë edhe ateist. Unë mendoj që akti është bërë për shkak se ka qenë i sëmurë. Ai përkatësinë fetare e ka katolik, por kjo pak rëndësi ka. Ai është konvertuar, por nuk besoj që ka lidhje kjo me aktin.

Është katolik i konvertuar në mysliman, prej sa kohësh?

Disa prej tyre i njoh sepse edhe unë vetë jam praktikant, por besoj që nuk është se ka lidhje konvertimi i tij me ngjarjen, gjithsesi ai ka më shumë se 17 vjet që është i konvertuar.

Pra është një kohë e gjatë… Duke qenë se jeni miku i tij i ngushtë dhe nëse keni informacione, ka pasur njohje me personat të cilët i ka plagosur sot në xhami?

Jo. Me asnjërin prej tyre nuk ka pasur njohje, sepse unë i njoh personat që janë plagosur, shyqyr që kanë shpëtuar. Por me asnjërin nuk ka pasur njohje. Nuk ka pasur asnjë motiv, asnjë gjë personale, thjeshtë ashtu ia ka dhënë, ka patur kriza nervore, nuk ka marrë ilaçet ka disa kohë.

Përveç akteve që ai ka kryer muajt e fundit, të cilët ju i përmendët vetëm pak më parë, ka shfaqur shenja agresiviteti më herët gjatë fëmijërisë suaj, apo dhe gjatë kohës që keni studiuar dhe jetuar bashkë në një apartament?

Jo. Një njeri fantastik, shembull, ka ndihmuar shumë njerëz, ka qenë marrë me biznes, ka punësuar njerëz, ka lëvizur. Në familjen e vet ka qenë shumë pozitiv, shembull për gjithë vëllezërit e vet, sepse është më i madhi i familjes, po ashtu edhe për motrat.

Ku jetonte aktualisht Rudolfi, në Tiranë apo në Burrel?

Ai jetonte në Burrel, atje e ka rezidencën në Klos. Ndërsa në Tiranë jetonte tek shtëpia e vëllait, i cili punon dhe jeton në Tiranë, në një apartament me qira.

Pse mendoni që familja e tij nuk i ka dhënë ndihmën e duhur, ka ndonjë arsye, apo nuk e ka kuptuar gjendjen psikologjike?

Familja e ka mbështetur vazhdimisht, por them se për sa kohë ka ndodhur ky akt ndoshta duhej mbajtur brenda, nuk duhej lihej, ose të insistohej që të merrte ilaçe. Sepse ai shumicën e familjes ai i ka jashtë. Në Shqipëri vetëm prindërit ka dhe këtë vëllain që ka në Tiranë./tvklan.al