8 raste të reja në 24 orë. Shumë shpejt testimi i imunitetit për popullatën

Numri i personave të prekur me Covid-19 në vendin tonë ka arritur në 850. Tetë raste të reja janë evidentuar gjatë 24 orëve, 3 prej tyre në Tiranë. Përveç kryeqytetit, vatrat aktive vijojnë të jenë në Shkodër, Krujë, Fier dhe Kamëz.

“Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë kryer mbi 10 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me Covid-19 në të gjithë vendin 850 qytetarë. Në 24 orët të fundit janë testuar 238 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 8 qytetarë, të shpërndarë, në Tiranë 3 raste, Krujë 2 raste, Shkodër 1 rast, Fier 1 rast dhe Kamëz 1 rast”.

Nga dita në ditë, po shënon rënie edhe numri i personave të hospitalizuar dhe atyre në terapi intensive. Tetë pacientë kanë lënë spitalin.

“Momentalisht në dy spitalet Covid, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 30 pacientë dhe vetëm 5 prej tyre janë në terapi intensive”.

Fatmirësisht edhe 18 persona të dyshuar me Covid, personel mjekësor dhe pacientë në shërbimin e neurokirurgjisë kanë rezultuar negativë. Në vend ka vetëm 199 persona aktivë me Covid-19.

“Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë kryer mbi 10 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me Covid-19 në të gjithë vendin 850 qytetarë. 620 qytetarë tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 199 persona aktivë me Covid-19”.

Krahas marrjes së tamponit për personat e dyshuar me Covid, prej tre javësh në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT, po vazhdon procesi i testimeve serologjike për grupet më të riskuara.

“Deri tani janë testuar 440 staf mjekësor dhe pacientë të konfirmuar, me një nivel 11.2 % të pozitivitetit të përgjithshëm. Këto janë rezultate paraprake dhe në ditët në vazhdim pritet të merret një kampion më i madh, kështu që këto rezultate mund të ndryshojnë”.

Shumë shpejt testimi serologjik do të shtrihet edhe në popullatë.

“Në një fazë të dytë do të zgjerojmë testimin në popullatë për të parë % e saj që e ka kaluar sëmundjen”.

Edhe pse situata nga Covid paraqitet e qëndrueshme, ekspertët e Shëndetit Publik rekomandojnë ruajtjen e distancës dhe masa higjieno-sanitare për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Tv Klan