Policia Rrugore vijon kontrollet e rrepta në akset e vendit për të parandaluar aksidente. Në autostradën Durrës – Tiranë, një automjet lukson udhëtonte me shpejtësi të lartë dhe kryente manovra të rrezikshme në rrugë. Blutë ndaluan mjetin dhe pas alkooltestit që iu bë drejtuesit, rezultoi se 27-vjeçari me iniciale J.V. ishte i dehur në masën 0.81 mg/l. Ai u ndëshkua me 30 mijë Lekë gjobë dhe iu hoq patenta për 20 muaj.

Ndërkohë në rrugën interurbane Tiranë -Elbasan, janë evidentuar nga radari  shpejtësi qe varionin nga 158 km/orë deri në 175 km/orë.

Ndërsa në rrugën intreurbane Fier – Vlorë, nga njësia Operacionale e Policisë Rrugore është konstatuar një drejtues mjeti që drejtonte mjetin me shpejtësi 136 km/orë dhe me patentë të pezulluar për pije alkoolike dhe përdorte një patentë angleze të falsifikuar. Drejtuesit të mjetit tip “Ford Focus”,  K. S., 25 vjeç, banues në Tiranë, iu hoq patenta përfundimisht si dhe u procedua penalisht për falsifikim të dokumentave.

Gjithashtu, gjatë 24 orëve të fundit, janë arrestuar në flagrancë 14 drejtues mjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjëndje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 66 leje drejtimi, nga të cilat 48 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 18 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjëndje të dehur.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 2356 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë. /tvklan.al