Sonila Cani u gjet e vetëvarur në banesën e saj në Torino të Italisë më datë 21 Mars. 22-vjeçarja jetonte në shtetin fqinj me bashkëshortin e saj dhe me djalin e vogël.

Mirëpo prindërit kanë dyshime nëse vajza e tyre është vetëvarur, pasi në pjesë të tjera të trupit kishte mavijosje. Edhe hetimet e autoriteteve italiane vijojnë pasi ngjarja konsiderohet e dyshimtë dhe është e mbushur me pikëpyetje.

Nëna e Sonilës, në një intervistë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, ka rrëfyer edhe bisedën e fundit që pati me vajzën pak orë përpara se 22-vjeçarja të gjendej e varur në banjon e apartamentit.

“E kam pyetur ku është Niku (bashkëshorti i vajzës)? Ka dalë, tha, për cigare. Çfarë ke bërë për drekë? Si çdo nënë kur komunikon me fëmijën… Nuk kam bërë gjë tha. Mirë i thashë, folëm plot, vendos çunin në gjumë. Mirë mama, tha. Më përshëndeti, më puthi, dëgjohemi nga darka, më tha, se do marr dhe Nikun në telefon. Mirë i thashë. Më puthi, e putha dhe e mbylla telefonin. Isha e qetë gjithë pasditen”.

Për herë të fundit, vajzën thotë se e kishte takuar kur ishte kthyer në Itali në fillim të muajit Shkurt. /tvklan.al