Forcat “Shigjetat” kanë vënë në pranga një 27-vjeçar, i cili prej kohësh ishte në kërkim. Në një njoftim për mediat Policia e Tiranës bën me dije se 27-vjeçari Lajden Kadilli është me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje.

Operacioni për kapjen e Kadillit është zhvilluar mbrëmjen e djeshme, kur forcat e posaçme “Shigjetat” kanë konstatuar një mjet që ka ndaluar 100 metra larg pikës së kontrollit te pallati me shigjeta.

Drejtuesi i mjetit ka dalë nga mjeti dhe ka ikur me vrap duke mbajtur një çantë në dorë. Menjëherë punonjësit e Policisë së forcës së posaçme “Shigjetat” janë vënë në ndjekje të personit, i cili kur ka parë që po e ndiqte Policia ka hedhur në një kosh armën e zjarrit dhe është larguar me shpejtësi”, njofton policia.

Kadilli nuk ka ndaluar dhe për afro 10 minuta ndjekjeje, “Shigjetat” kanë arritur që ta prangosin dhe i kanë sekuestruar edhe armën e zjarrit tip pistoletë me fishek në fole gati për qitje dhe një krehër me fishekë luftarak.

Gjykata e Tiranës kundër Kadillit kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Gjithashtu ndaj tij Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka dërguar për ekzekutim urdhër-ndalimin në mungesë, për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrim i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë të rendit publik” dhe “Armëmbajtje pa leje”./tvklan.al