Me sa plumba është vrarë 25-vjeçari Klodian Rasha? Kjo pyetje nuk ka marrë ende përgjigjen, teksa po priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore.

Në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, gazetari Spartak Koka deklaroi se disponon fotot e viktimës, por nuk i ka publikuar në respekt të familjarëve të të ndjerit.

Sipas fotove që disponon gazetari, në kokën e Klodian Rashës ka një plagë me 10 qepje. Koka u shpreh se familja pretendon që kjo plagë është shkaktuar nga plumbi, ndërsa nuk dihet ende zyrtarisht.

Kaq ka mjaftuar që në studio të nisë debati nëse duhet apo jo të publikohen fotot në fjalë. Gazetari Koka dhe pjesa më e madhe e të ftuarve në emision u rezervuan për publikim. Ndërsa analisti Baton Haxhiu kërkoi që ato të publikohen.

Megjithatë, fotot iu vendosën në dispozicion të ftuarve për t’i parë personalisht dhe u ra dakord që të mos publikohen në respekt të etikës dhe familjes së të nderit Rasha.

Spartak Koka: Është ngritur një pistë sot që Klodian Rasha është vrarë me 1 plumb apo me 2 plumba. Nga burime jo zyrtare por të shpërndara në media nga Prokuroria thuhet që Klodian Rasha ka vetëm 1 plumb në pjesën e shpatullës. Ndërkohë ne kemi siguruar gjatë paradites së sotme disa foto që tregojnë një plagë në pjesën e kokës të Klodian Rashës. Janë 3 foto që për arsye etike pasi unë u konsultova duke patur parasysh dhe sensibilitetin e lartë të familjarëve dhe nuk donin që të publikoheshin këto foto. Nuk dua për shkak se ende janë në tronditje të fortë. Në rast se ju doni t’i publikoni pa lejen e tyre është një zgjedhje tjetër.

Blendi Fevziu: Janë foto të trupit të 25-vjeçarit të pajetë?

Spartak Koka: Janë fotot të trupit të 25-vjeçarit që tregojnë një plagë në krahun e djathtë.

Blendi Fevziu: Plagë me armë zjarri apo të llojit tjetër?

Spartak Koka: Ka 10 të qepura dhe djali ka hematoma në pjesën e ballit dhe thyerje të hundës dhe hematoma në pjesën e fytyrës. Se nga se janë shkaktuar këto plagë…Në respekt të dinjitetit të viktimës dhe familjes, unë po rezervohem t’i publikoj. Plaga që ka 10 qepje nuk dihet nga se është shkaktuar. Familjarët e kanë parë foton dhe kanë parë dhe kufomën dhe thonë “sipas nesh plaga është nga armë zjarri”.

 Blendi Fevziu: Ndërkohë Prokuroria thotë që ka vetëm një goditje.

Spartak Koka: Ndërkohë sipas informacionit të djeshëm që dha SHÇBA, nga arma e policit është qëlluar dy herë. Se cila është e vërteta ne s’po e bëjmë gjyqin sot.

Blendi Fevziu: Mund të m’i lësh mua në dispozicion fotografitë pa i publikuar.

Spartak Koka: Patjetër, mund t’ja u sjellim nëpërmjet stafit.

Baton Haxhiu: Ç’lidhje ka familja me gazetarinë?

Blendi Fevziu: Në qoftë se familja s’do të publikojë foton e djalit që ka humbur jetën, unë s’mund t’ia publikoj.

Baton Haxhiu: Kjo është për hir të së vërtetës.

Mark Marku: Është jo etike t’i botojmë…

Blendi Fevziu: Vetëm pjesën e plagës?

Iris Luarasi: As pjesën e plagës!

Mark Marku: Jo, fare!

Baton Haxhiu: Nëse s’janë të familjes…

Blendi Fevziu: S’duhet t’i publikojmë.

Spartak Koka: Unë i kam pyetur realisht sepse dua të jem profesional në këtë drejtim dhe s’doja kurrsesi këto foto kaq sensitive pavarësisht…

Preç Zogaj: I ke pyetur?

Spartak Koka: Po sigurisht, pasi kam marrë kontakt… Në respekt të përgjigjes së tyre, unë rezervohem mos t’u publikoj.

Baton Haxhiu: A do t’i publikoje fotografitë në qoftë se do ishe në vendin e ngjarjes?

Spartak Koka: Jo nuk do t’i publikoja sepse janë foto sensitive.

Baton Haxhiu: Po atëherë ç’kuptim ka gazetaria jote?

Spartak Koka: Ka kuptim etik, njerëzor, parimor dhe në respekt të viktimës dhe dhimbjes së familjarëve. Në rast se z.Fevziu zgjedh t’i publikojë unë i kam foto këtu dhe pastaj pjesën e gjykimit etik, moral, ligjor le ta mbajmë ne së bashku si emision.

TË FTUARVE U TREGOHEN FOTOT PRIVATISHT

Preç Zogaj: Kjo është më e rëndë, kjo e dyta nuk duhet publikuar për mendimin tim.

Iris Luarasi: Asnjë nuk duhet publikuar nëse nuk do familja, i mjafton gjëma familjes. Nuk jam dakort me këtë gjë.

Reila Bozdo: Nuk jam fare kompetente për vendimmarrje.

Baton Haxhiu: Asnjëra nuk ka fytyrë.

Iris Luarasi: E tmerrshme!

Iris Luarasi: Çfarë vlere do i sillte kjo raportimit?

Blendi Fevziu: Sepse ajo që thotë Batoni ka një çështje nëse goditja është me dy plumba…

Iris Luarasi: Nuk jemi këtu as hetues as prokurorë. Ça do vendosim ne? Nga cili kënd është goditur viktima?

Blendi Fevziu: Jo nuk është puna e këndit.

Baton Haxhiu: Gjuan në kokë kemi probleme serioze me trajnimin…

Preç Zogaj: Ka ndërhyrje, qepja tregon që dikush e ka qep.

Blendi Fevziu: Nuk i publikojmë fotot pa lejen e familjes, e mbyllëm këtë histori, por ju të gjashtë jeni familjarë me fotot, Spartaku është familjarë me foton, shtatë. Nuk do bëjmë as analizën e goditjes as nëse është armë zjarri apo është goditje tjetër se ne këtë nuk e shpjegojmë dot, por gjithsesi meqë familja dhe shtypi sot ka pretenduar për goditje me dy plumba dhe prokuroria pretendon një.

Iris Luarasi: Versioni i familjes është varianti më i mirë dhe më i thjeshtë i mundshëm. Pse do diskutojmë?

Preç Zogaj: Fotot, këto që pamë ne, tregojnë që është ushtruar dhunë. Ajo nuk është dhunë armësh zjarri është dhunë duarsh, është goditur në fytyrë. Nuk mund të jetë nga rrëzimi. Ka një ndërhyrje të një institucioni tjetër të mjekësisë ligjore, dikush e ka qepur, nuk e ka qepur policia, se s’mund ta qep policia, pra mjekësia ligjore ka një raport të hollësishëm se pse është shkaktuar plaga. Për mendimin tim me sa shihet aty ai është dhunuar përpara se të vritet.

/tvklan.al