Qytetarët në Shkodër prej orës 11:00 kanë nisur në protestë dhe kërkojnë largimin e Ardi Veliut nga drejtimi i Policisë së Shtetit.

Por edhe pse nisi e qetë, protesta pati disa incidente dhe të arrestuar. Tvklan.al ka siguruar një video ku shihet momenti i arrestimit të dy të rinjve, të cilët mësohet se kishin në duar shishe me benzinë dhe dyshohet se do i përdornin gjatë protestës.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar policia e Shkodrës, e cila thekson se tubimi ka qenë i paligjshëm.

Sot në orën 11:00, në qendër të qytetit të Shkodrës është zhvilluar një tubim i paligjshëm, ku pjesëmarrësit filluan lëvizjen nga sheshi Luigj Gurakuqi drejt pedonales së qytetit, para Prefekturës.

Shërbimet e Policisë, gjatë monitorimit të tubimit konstatuan dy të mitur 13 e 15 vjeç, të cilët kishin me vete një shishe benzinë që dyshohet se do ta përdorimin për djegie gjatë tubimit.

Të dy të mitur janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, ku është thirrur psikologu i DVP Shkodër dhe prindërit e tyre për veprime të mëtejshme”, sqarojnë autoritetet./tvklan.al