Me shtëpi pa leje e ndërton katin e dytë, e “fsheh” me batanije e çarçafë / Denoncuesja: Pas njëfarë kohe doli kjo kërpudha


Me shtëpi pa leje e ndërton katin e dytë, e “fsheh” me batanije e çarçafë / Denoncuesja: Pas njëfarë kohe doli kjo kërpudha

21:02 29/11/2022

Dajana Prifti dhe Gjergji Kola, të dy banorë të Njësisë Numër 2 tek Ura e Tabakëve, ankohen se një komshiu i tyre, Preng Bërdufi, u ka cënuar pronën private duke ndërtuar në vitin 2020 në kohën e pandemisë pa leje. Personi që po ndërton ka një kat shtëpie në proces legalizimi dhe katin e dytë pa leje.

Denoncuesit thonë se janë drejtuar te specialisti i zonës, Agim Mece, Policia Bashkiake, Kryetari i Bashkisë, IMT, Kryeministri dhe nuk kanë marrë asnjë zgjidhje.

Familja Prifti: Kjo është shtëpia ime, është ndërtuar rreth vitit 1937-1938 me një leje e cila i përket kohës së Zogut, bashkë me objektin tarracën.

Familja Kola: Ndërtesa fillon nga këtu dhe përfundon nga mbrapa atij pallatit atje.

Gazetarja: Cili është problemi?

Familja Prifti: Problemi jonë është se ne kufizohemi të 2 nga një komshi i përbashkët që quhet Prengë Bërdufi. E gjithë historia nis pasi komshiu ka ndërtuar këtë katin e dytë. Gjatë kohës që isha në Londër pasi jetoj dhe punoj aty, njoftohem nga komshinj të tjerë që na duan se “shiko se ky komshiu yt ngeli duke larë kuverta, batanije, çarçafë”.

Familja Kola: Ai banonte vetëm se hajde të ketë 8 fëmijë…

Familja Prifti: Pamë se pas njëfarë kohe doli kjo kërpudha këtu si ajo e Kryeministrisë. Dhe katin e parë ai e ka pa leje, nuk është pronar i ligjshëm.

Gazetarja: Ai hoqi çarçafët, batanijet, tapetet, direkt doli ndërtimi. Me aq sa kam informacion, në pandemi nuk lejoheshin as punimet dhe IMT do të ketë kujtuar se “hajt më se po lan rrobat”. Kush kanë qenë lëvizjet që keni bërë nëpër institucione?

Familja Prifti: Denoncimi nëpërmjet Komisariatit Dixhital me SPZ-në e zonës, Agim Meçën i cili është strumullari kryesor i kamuflimit të këtij personi që po bën këtë krim ndërtimor në mes të Tiranë. Jam injoruar komplet. E kam denoncuar gjithashtu edhe tek inspektori i Njësisë Bashkiake Numër 2, i cili duhet të survejojë kush ndërton pa leje, ai duhet duhet të raportojë tek IMT-ja. Përgjigja e tij ka qenë “he mo se gjynaf, i ka vdekur gruaja, le të martojë djemtë”. I kemi dërguar Kryeministrit Rama një mesazh me detaje. Për dijeni edhe Z. Erion Veliaj. E kam njohur me këtë shqetësim dhe Drejtorin e Policisë Muhamet Rrumbullakun. Ka qenë gati një bekim i perëndisë që më erdhi një përgjigje sepse nuk na merrnin dot një kallëzim penal në komisariat. IMT-ja nuk na ka kthyer akoma përgjigje.

Familja Kola:  Kam shkuar tek Njësia Bashkiake Numër 2. Kam takuar Florjan Pullazin, administratorin. Më priti dhe më shpjegoi që unë kam dhënë një leje izolimin e tarracës së katit të parë, për riparim dhe jo për ndërtim. Më tha duhet të shkosh urgjentisht tek IMT-ja. Unë i bëra kërkesë për shtesë kati dhe me dritare nga ana ime. IMT-ja më ktheu përgjigje se ai zotëria i kam mbyllur dritaret vullnetarisht. Ky ndërtim pa leje ma nxjerr jashtë përdorimi pronën time.

Familja Prifti: Pavarësisht denoncimeve tona, gjithë këto letra që kemi bërë, jemi ankuar tek Komisariati Numër 1, tek IMT-ja, tek AMP-ja, tek Policia Bashkiake. Për dijeni e kemi vënë Kryeministrin, Kryetarin e Bashkisë, Drejtorin e Policisë, Rrumbullakun. Edhe pse kemi bërë gjithë këto lëvizje, pala tjetër vazhdon ndërton.

Denoncuesja nga familja Prifti, Dajana Prifti ka zhvilluar një bisedë me Preng Bërdufin.

Qytetarja: Akoma ti? S’u ngope me punime, mo? 

Preng Bërdufi: Ç’a ke, moj?

Qytetarja: Si çfarë kam, mo?

Preng Bërdufi: Çfarë ke? Pse më bie në qafë? 

Qytetarja: Unë të bie në qafë, se je pa leje ndërtimi ti e ke bërë kat shtesë?

Preng Bërdufi: Ku po punoj aktualisht?

Qytetarja: Si, ku po punon?

Preng Bërdufi: Ku po punoj?

Qytetarja: Ku të pëlcasin, po punon!

Preng Bërdufi: Mos më thuaj ashtu!

Qytetarja: Jo të them, të them, sepse më the do të bëj izolim tarrace, më the.

Preng Bërdufi: Atë po bëja!

Qytetarja: Ky s’është izolim!

Preng Bërdufi: Çfarë është kjo?

Qytetarja: Ajo dhoma aty, çfarë është ajo? Hë?

Preng Bërdufi: Tani po e bëj atë unë?

Qytetarja: Atë e ke bërë në pandemi. E ke bërë edhe tashi, e bëre edhe këtë pjesën tjetër. Ti duhet të kesh leje ndërtimi! E ke çu në Bashki? Je pronar i ligjshëm? Ti më ke bërë murin ngjitur, ti ma ke bërë kat pa leje, shtesë.Ti nuk je as pronar i ligjshëm, nuk ke as leje ndërtimi. More vesh?

Dajana Prifti tregon se edhe pasi ka zhvilluar këtë bisedë me Preng Bërdufin, ai vazhonte përsëri punimet të nesërmen.

Qytetarja: Po ti më ke bërë murin, ja këtu ngjitur ma ke bërë murin ti.

Qytetarja: U bëre me shtëpi ti këtu e fillove katin e dytë pa leje. Edhe ta gëzofsh katin e dytë pa leje!

Preng Bërdufi: Shumë faleminderit! Faleminderit prej jush!

Dajana Prifti thotë se institucionet shqiptare funksionojnë me 2 standarde dhe nuk zbatojnë ligjin.

Dajana Prifti: Ironia më e madhe qëndron tek 2 standardet që kanë institucionet tona të cilat duhet të vënë drejtësi dhe nuk zbatojnë ligjin. Mbi ndërtimet pa leje apo me leje. Para 2 vjetësh, unë fillova të bëj riparimin e çatisë së shtëpisë mbi të cilën pata këtu prezent të rrufeshëm Agim Meçen që më thotë “të lutem zbrit se më duhet leja. Me leje po i  bën?”. Ndërkohë që i tregoj leje, merr me radio patrullat dhe më shoqëron me gjithë banorët në rajon. Më mban deri pasdite. IMT-ja për mua solli këtu 15 inspektorë, derisa më vuri një gjobë 500 mijë lekë të vjetra për ndryshimin e ngjyrës së tjegullave, donin të gjenin një sebep. “Pse ke vënë ti tjegull të re dhe nuk i ke lënë të vjetrat.” Këtë e ankimova në Gjykatën Administrative dhe e fitova. Duhet të më kthejë IMT lekët e gjobët  dhe ekspertes së gjyqit. Po pres kompensimin./tvklan.al









Të ngjashme