Një emision nga Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu. Me pjesëmarrjen e veçantë të Emiliano Lule.

Në natën e njëmbëdhjetë të “Më shumë dashuri” ndoqët:

Anisa është nëna e një fëmije të vogël dhe punon si psikologe në dy shkolla në Tiranë, ndërsa bashkëshorti i saj Lenci po ndjek studimet për pediatër. Duke marrë shkasë nga angazhimet e tyre të shumta dhe kohës së paktë që u ngelet për të qëndruar bashkë, Anisa mendoi t’i bënte një surprizë partnerit të saj. Lenci mendoi se kishte një urgjencë mjekësore, ndaj dhe nuk ishte aspak i përgatitur për çfarë ndodhi.

Sa herë Gentjana Sufa hap dritaren, përballet me një të kaluar të vështirë. Fatkeqësitë e kanë ndjekur njëra pas tjetrës, por goditjen më të rëndë e mori 5 muaj më parë, kur humbi djalin e saj 10-vjeçar, Redin, në një aksident. Gentjana kërkon një rrugë shpëtimi nga fshati, që mbart kujtime mbytëse, për veten dhe personin e vetëm që i ka ngelur, e bija.

Fëmija që pritet të lindë nga dita në ditë, do jetë një mbarësi për nënën dhe babain e saj. Malvina dhe Edmondi janë shumë të dashuruar, por janë të dy të papunë. A do të mjaftojë vetëm dashuria për të mbajtur familjen e tyre? Gjithashtu në “Më shumë dashuri” Edmondi takoi nënën e tij, të cilën nuk e kishte parë prej 15 vitesh.

Në regjimentin e helikopterëve ka ndodhur diçka e pazakontë. Një ceremoni festive ka mbledhur të gjithë pilotët e Forcave Ajrore. Denardi dhe Silva kurorëzuan dashurinë e tyre në “Më shumë dashuri”./tvklan.al