Aritstët shqiptarë si brenda ashtu edhe jashtë vendit janë solidarizuar me situatën e rëndë, që është duke përjetuar vendi ynë si pasojë e tërmetit të madh të ndodhur gjatë ditës së djeshme, por edhe nga paslëkundjet e shumta nga të cilat është shoqëruar.

Kantautori i njohur, Alban Skënderaj përmes një postimi në rrjetin social Instagram shkruan se fjalët nuk e bëjnë diferencën në situatën ku ndodhet vendi ynë, ndërsa lutjet po.

Jemi të vegjël dhe të papërfillshëm para forcës së natyrës, por në raste të tilla më shumë se kurrë duhet të besojmë se mund të ringrihemi përsëri. Kjo mund të bëhet vetëm duke qenë bashkë dhe sa më afër njëri me tjetrin! Ngjarje të tilla duhet të na ndërgjegjësojnë për brishtësinë e jetës dhe vlerën e saj. Me shumë dhimbje nisi kjo ditë. Ngushëllime të sinqerta për familjet e viktimave dhe solidaritet pa kufi për të gjithë ata që janë prekur nga tërmeti i sotëm. Fjalët nuk e bëjnë diferencën, e di, por ndoshta lutjet po! Por nuk duhet të mbarojë me kaq, natyra nuk bën selektime, ndaj secili prej nesh duhet të ndihmojë me mundësitë që ka i ndërgjegjësuar se ndoshta mund të jemi në të njëjtën situatë. Do e duam natyrën për mrekullitë e saj, por nuk do ti dorëzohemi çmendurive të saj”.

Gjithashtu, ai ka treguar se në shenjë solidariteti me viktimat dhe të lënduarit e shumtë nga tërmeti që ndodhi në Shqipëri, ka anuluar dhe koncertet e tij./tvklan.al