Por moshat mbi 40 vjeç dominon gjinia femërore!

Gratë zënë pjesën më të madhe të popullsisë shqiptare. Sipas raportit të publikuar së fundmi nga INSTAT, në Shqipëri rezulton se gratë zënë 50.1% të popullsisë, ndërsa burrat 48.9% .Por gratë nuk mbizotërojnë për të gjitha moshat. Raporti gjinor sipas grupmoshave tregon se ka një mbizotërim të gjinisë mashkullore ndërmjet moshës 35-39 vjeç. Pas të 40-tave vjen mbizotërimi i grave. Në fund të vitit 2019, mosha mesatare për burrat është 36,3 vjeç, ndërkaq për gratë është 38,2 vite. Kjo diferencë vjen për shkak se gratë jetojnë 3 vite më shumë se burrat. Jetëgjatësia mesatare te meshkujt është 77 vjeç ndërsa te femrat 80.

Një tregues, i cili shpesh herë ka sjellë edhe reagime, është lindshmëria më e madhe e foshnjeve meshkuj. Duke ngritur dyshime tek ekspertët e shëndetit për abort selektiv në vendin tonë. Sipas të dhënave të vitit 2019, raporti gjinor në lindje është 109, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 109 djem. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105. Një rënie drastike ka patur edhe Indeksi i Fekonditetit duke u ulur në 1,36 fëmijë. Ky indeks është nën normën e zëvendësimit prej 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten. Lindshmëria ka rënë për grup-moshat 20-24 dhe 25-29, ndërsa për grupmoshat më të vjetra ka pësuar rritje të lehtë.

Gjatë vitit 2019 numri i vdekjeve të burrave është 11.781, kurse i grave është 10.156. Vdekjet sipas grupmoshave tregojnë se burrat kanë një përqindje më të lartë të vdekjeve. Shkaqet kryesore të vdekjeve si tek gratë ashtu dhe tek burrat vijojnë të jenë sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, të cilat shkaktojnë 55,9 % të vdekjeve tek gratë dhe 51,1 % të vdekjeve tek burrat. Dy shkaqet e tjera kryesore janë “simptomat dhe sëmundje të papërcaktuara” dhe ‘tumoret’, nga të cilët vdesin 12,9 % e grave dhe 19,3 % e burrave.

Klan Plus