PSG bën një tjetër lëvizje për të mbajtur futbollistin Neymar dhe për të shmangur një dënim të mundshëm nga UEFA për mosrespektim të rregullave të Fair Play Financiar. Banka Kombëtare e Katarit, grupi më i madh financiar në Lindjen e Mesme dhe Afrike njoftoi një marrëveshje sponsorizimi që do ta bëjë futbollistin Ambasador të markës së saj në Azi.

Firmën në letër e hodhi menaxheri i përgjithshëm i bankës Yousef Darwish dhe babai i Neymar në cilësinë e menaxherit të lojtarit. Grupi financiar kërkoi të shfrytëzojë popullaritetin e Neymar veçanërisht në kontinentin aziatik.

Braziliani ka 209 milionë ndjekës në rrjete sociale dhe imazhi i tij do të ishte një reklamë e madhe për këtë bankë që kërkon të hapë degët e saj në vende të ndryshme të botës.

Në fakt qëllimi kryesor i këtij sposorizimi është shuarja e dilemave të futbollistit për qëndrimin ose jo në klubin francez pasi banka kombëtare e Katarit është 50% pronë e “Qatar Investment Authority”, që nga ana e saj ka lidhje me pronarët e PSG.

Tv Klan