Rritet numri i pacientëve të shtruar në spitale

Mbeten të larta shifrat e infektimeve në vendin tonë edhe këtë të shtunë. Ministria e Shëndetësisë raportoi se nga 7023 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë si mbartës të virusit 2163 qytetarë, shifra e dytë më e lartë kjo që prej nisjes së pandemisë.

Gati gjysma e rasteve i përkasin Tiranës, ku janë zbuluar 1018 raste, dhe pas saj vijnë Shkodra me 110 raste, Durrësi me 95 raste, Vlora 86 raste, Elbasani 70, ndërsa bashkitë e tjera kanë një numër më të vogël infektimesh.

Tre qytetarë të tjerë e humbën betejën me Covid, duke e çuar në 3,265 numrin total të jetëve të humbura në vendin tonë prej Covid-19.

Viktimat ishin një qytetar nga Berati 78 vjeç, një qytetar nga Tirana 82 vjeç, një qytetar nga Durrësi 88 vjeç.

24-orëshi i fundi ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të të shtruarve në spitale. Autoritetet shëndetësore bën të ditur se aktualisht në spitale po marrin trajtim 148 pacientë, nga të cilët 17 janë në gjendje më të rënduar.

Numri i rasteve aktive me Covid në vendin tonë ka shkuar në mbi 20 mijë.

Tv Klan