Ishte aq xheloz për bashkëshorten saqë mundohej t’i kontrollonte çdo gjë. Madje nuk donte që të kishte marrëdhënie shoqërore me njerëz. Donte që të mos të dilte as me shoqet. Dhe kur mësoi se gruaja dilte herë pas here me ndonjë mikeshë lindi dhuna. Është kjo historia e një çifti shqiptar në Torino të Italisë që ka përfunduar me bashkëshortin pas hekurave. Shkak është bërë dhuna e vazhdueshme e tij ndaj gruas që siç shkruajnë mediat italiane ishte plot “me shuplaka, grushta dhe shkelma”.

Një ferr i vërtetë për gruan dhe që fatmirësisht përfundoi më 5 Korrik të këtij viti. Shqiptari, një 23-vjeçar, u arrestua pas ndërhyrjes së policisë. Ai akuzohet për dhunë në familje, por edhe për rezistencë ndaj agjentëve të policisë pasi në momentin e arrestimit është përpjekur t’i godiste.

Sherri i fundit mes çiftit ndodhi pas darkës. Kanë qenë fqinjët ata që kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë. Kur këta të fundit kanë trokitur në banesë, askush nuk është përgjigjur. Kaluan disa minuta dhe gruaja doli në ballkon dhe i shpjegoi agjentëve që nuk kishte nevojë për ta. Por policët u kthyen në derën e shtëpisë dhe folën ballë për ballë me të. Dhe pasi i shpjegon të njëjtat gjëra që tha në ballkon, bashkëshorti mbyll me shpejtësi derën.

Këtu policët kuptuan që gruaja i kishte thënë të gjitha justifikimet për shkak të frikës dhe menjëherë ndërhynë brenda banesës. Nga aty, ajo filloi dhe i tha të gjitha, që nga dhuna e deri tek izolimi nga bashkëshorti sepse ai nuk e lejonte që të takohej me shoqet. Identitet e çiftit shqiptar nuk janë bërë ende të ditura./tvklan.al