Koronavirus u ka marrë jetën deri më tani të paktën 80 personave dhe mbi 2000 kanë rezultuar të infektuar.

Mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan, diskutimi është përqëndruar pikërisht në këtë virus vdekjeprurës që po shqetëson jo vetëm Kinën, si vend i origjinës, por të gjithë botën.

Ndërkaq Shqipëria konsiderohet si një vend me risk shumë të ulët për këtë virus, dhe një ndër arsyet kryesore është se nuk ka linjë ajrore direkt me këtë shtet, çka eliminon përhapjen e virusit nga njeriu në njeri.

Lorenc Hashorva, Shef i Njësisë Kufitare të inspektimit shëndetësor, i pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se si kryet kontrolli në aeroportin e Rinasit për zbulimin e virusit, shpjegoi procedurën që ndiqet, në bazë të një pyetësori të lëshuar nga Organizata Botërore e Shëndetit.

Blendi Fevziu: Si do ta dallosh, ka apo jo virus?

Lorenc Hashorva: Shqipëria konsiderohet si një vend me risk të ulët.

Blendi Fevziu: Ne marrim masat tona…

Lorenc Hashorva: Ne marrim masat, dhe janë marrë masat deri tani…

Blendi Fevziu: Si e dalloni? Erdha unë, hyra…

Lorenc Hashorva: Ka protokolle të caktuara nga OBSH në bazë të riskut që ka çdo vend, i aktivizon, ne nuk dalim dot jashtë protokolleve.

Blendi Fevziu: Unë pashë në aeroportin e Romës, kanë vendosur skaner termik, je i detyruar të kalosh.

Lorenc Hashorva: Vinin nga flurim direkt nga Kina?

Blendi Fevziu: Jo, kush kalonte… por çfarë garancie keni ju që nuk vijnë nga Kina?

Lorenc Hashorva: Mënyra jonë e detektimit është e tillë, që në bazë të një pyetësori të OBSH që kemi, kontaktin e parë e bëjmë me Airlines dhe policinë kufitare, vetëm nga ata mund ta marrim listën e pasagjerëve.

Blendi Fevziu: Pasagjerët që vijnë nga Kina, ose nga vendet e Azisë që janë prekur, çfarë bëni? Se mund të vijë dhe nga Franca…

Lorenc Hashorva: Mund të vijë, megjithatë ju thatë që nuk pashë kontroll… në rregulloren ndërkombëtare të shëndetit, i jepet prevalencë udhëtimit të lirë të udhëtarëve, në momentin që ka ngjarje të shëndetit publik, ndërhyjmë ne.

Blendi Fevziu: Me çfarë i kontrolloni

Lorenc Hashorva: Në momentin e  parë, kam një intervistim në bazë të një pyetësori të OBSH. E pyes vendin e origjinës, nga ka ardhur, sa ditë ka udhëtuar dhe nëse ka pasur shenja klinike.

Blendi Fevziu: Po ata që vijnë në rrugë tokësore?

Lorenc Hashorva: Po flasim për aeroportin e Rinasit… në momentin që mua më vjen lista e pasagjerëve dhe më thonë që dy tre persona kanë ardhur nga Kina, dhe aty lajmëron policinë kufitare, dhe kur ju paraqiteni tek sporteli më thërret policia, dhe unë i marr i intervistoj. Nëse në bazë të pyetësorit, nuk ka shenja klinike nuk është i rriskuar…

Blendi Fevziu: Keni pajisje, apo me termometër?

Lorenc Hashorva: Nëse në bazë të pyetësorit, unë dyshoj, kemi termometër me laser, jo me kamera termike, por me termometër me laser në distancë rreth 20 centimetra. /tvklan.al