Emisioni investigativ “Stop” ka udhëtuar drejt Barcelonës në Spanjë për të hedhur dritë mbi vdekjen misterioze të të riut Saimir Sula, i cili humbi jetën në Spitalin Del Mar në Barcelonë.

Në 8 Maj 2020 Saimiri shkoi në spital për një test Covidi pasi ishte me temperaturë. Testi rezultoi negativ. Majlinda, motra e tij priste që Saimiri të dilte nga spitali, por pas një telefonate me të, nuk e pa më të gjallë vëllain.

Motra e Saimir Sulës: Saimiri kishte temperaturë 38 gradë, ishte kulmi i situatës së Covidit, kishim frikë dhe donim që të bënim një test Covidi. Ishte ora diku 11 e natës, vajtëm në spital për të bërë një test Covidi. Nuk e di nëse nga mëngjesi ose gjatë darkës u mor kampioni i Covidit dhe besoj nga mëngjesi, testi rezultoi negativ, pra nuk kishte Covid, por kishte këtë temperaturën 38 që ndoshta mund të ishte dhe një ftohje. Oksigjeni ishte 94, pra ishte shumë mirë.

Pastaj nga ora 11:00-11:30, e dërgojnë nga dhoma ku ishte, ku qëndronte në krevat, vjen një vajzë nga shoqërueset për ta marrë dhe për t’i bërë një grafi mushkërive. Kur kjo vajza vjen, Saimiri mund të ketë parë ndonjë gjë të dyshimtë në pavion, në dhomë duke folur me mjekët, nuk di se çfarë pa. Më telefonoi duke thënë: Majlindë po më vrasin, më merr urgjent sepse këtu po më marrin shpirtin. Nuk fola dot shumë gjatë. Bërtiti, qau dhe tha “Majlindë, mua këtu po më vrasin”.

Gazetari: Pra, të telefonoi nga numri i punonjëses së spitalit e cila po e çonte për të bërë skaner?

Motra e Saimir Sulës: Po dhe më tha “Majlinda po më vrasin”. Atëherë, unë shkova tek spitali, nuk e di a vonova një orë a diçka e tillë, kur arrita tek spitali, tek recepsioni, nuk kishte asnjë njeri. Unë mendoj se në atë orar që nuk kishte asnjë njeri, unë mendoj se ato ishin mbledhur për të manipuluar rastin se “çfarë do të bëjmë ne tani kur ndodhi kjo që nuk e prisnim”. Pretendohet të jetë nervozuar dhe gjatë neutralizimit, këto zotërinjtë, i ka shpëtuar dora, nuk di se si ta them, pretendohet që i ka pushuar zemra.

Spitali konfirmoi vdekjen e 31-vjeçarit rreth mesditës së 9 Majit 2020. Fillimisht nga Spitali u tha, që Saimir Sula është nervozuar dhe gjatë momentit të neutralizimit nga rojet e spitalit, i ka pushuar zemra. 

Por pamjet tregojnë se Saimiri kishte shenja dhune në trup. Instituti i Mjeksisë Ligjore në Barcelonë nuk ka një konkluzion të saktë për shkaqet e vdekjes.

Çështja u referua në Gjykatë në Barcelonë, por ngjarja nuk u zbardh sërish.

Avokati i familjes Sula, Carlo Sardinero tregon për emisionin investigativ “Stop” zhdukjen, apo mosmarrjen e provave kyçe për këtë dosje.

Avokati – Carlo Sardinero: Kam 29 vjet që e ushtroj këtë profesion dhe në asnjë rast gjatë këtyre viteve nuk jam hasur me një çështje të tillë, tejet hermetike dhe me kaq mangësi në prova, sidomos kur bëhet fjalë për prova tejet të thjeshta që janë në dorë të Gjykatës. Këto prova thelbësore janë së pari, marrja e deklarimeve të rojeve të sigurisë që u morën për parandalimin: Pse është e rëndësishme marrja e kësaj prove?

Është e rëndësishme sepse parandalimi që kanë bërë sipas raportit të autopsisë së kryer, ka kontribuar në vdekjen e pacientit. Në momentin që po flasim, ndodhemi përpara një vdekje të shkaktuar nga pakujdesia profesionale. Pra, nëse parandalimi ka ndikuar në vdekjen e personit, duhet marrë dëshmia e anëtarëve të forcave të sigurisë nën cilësinë e personave nën hetim.

Gjyqtari tha se duhej të merrej deklarimi, por e mori me shkrim, pra u pranua një dëshmi me shkrim që në Spanjë është e ndaluar me përjashtim të rasteve shumë specifike. Më tej, kemi kërkuar gjithashtu regjistrimet mbi masat parandaluese nëse ka dhe këto masa kanë ndikuar në vdekjen e Saimirit, atëherë këto masa kanë qenë jo proporcionale. Pse nuk na jepen këto imazhe? Pse gjyqtari nuk ka interes t’i shohë? Së dyti, dëshmia e mjekëve ligjorë është shumë rëndësishme. Për më tepër që edhe ligji e thotë që ata në çdo rast duhet të bëjnë ratifikimin gjyqësor të raportit mjeko-ligjor të kryer. Për më tepër që as kjo nuk u bë.

Kur ti ke në mendje pyetje që “çfarë ka ndodhur dhe pse ka ndodhur”, mbi të gjitha beson se një gjë e paligjshme fshihet pas kësaj, kjo nuk të lejon që të ecësh përpara në jetë, sidomos kur e di që është shumë e thjeshtë për të hedhur dritë mbi këtë nëpërmjet kryejes së analizave të thjeshta që mund të kryhen në Spanjë, situata është akoma dhe më e padrejtë, për më tepër dhe kur e di dhe më lejoni që ta them duke iu kërkuar falje për këtë, kur vendi yt nëpërmjet kanaleve zyrtare është duke u treguar i butë në rastin e mbrotjes së të drejtave të shtetasve të tij, situata rëndohet më shumë, duhet pyetur se çfarë do të bënte një shtet tjetër në situatën e vëllait të Majlindës, do të ishte më agresiv në qëndrimin e tij. Pra, të gjitha janë duke kontribuar së bashku në shtimin e dhimbjes së familjes.

Pas shumë peripecish, trupi i Saimir Sulës vjen pas 3 javësh në Shqipëri. Familjarët kërkuan bërjen e një tjetër autopsie.

Por Instituti i Mjeksisë Ligjore në Tiranë nuk mund të bënte dot autopsinë, pasi trupi kishte kaluar në fazën e dekompozimit. Mjekët konstatuan mungesën e zemrës në trupin e pajetë të 31-vjeçarit.

Shteti shqiptar regjistroi veprën penale për trafikim të organeve. Prokurorja Suela Salavaci shpjegon, se ka rreth 2 vjet, që janë dërguar 2 letra porosie në Spanjë për të bërë AND-në e zemrës, që autoritetet spanjolle pretendojnë, se e kanë në Spanjë.

Prokuroria ka kërkuar edhe kthimin e zemrës në Shqipëri për një test AND-je./tvklan.al