Me masa të forta sigurie u dërguan në Prokurorinë greke dy të akuzuarit për vrasjen në burg të Arbër Bakos. I akuzuari kryesor është një 34-vjeçar shqiptar, shok me viktimën Arbër Bako. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në burgun e Koridhalos, ku të dy vuanin dënimet përkatëse.

Shqiptari që akuzohet për vrasjen e bashkëpatriotit të tij, ka pranuar autorësinë dhe ka shpjeguar çfarë ndodhi.

“Sapo erdhi në qeli më tha: Më vish shapkat dhe më bëj një kafe. Sillej sikur unë të isha shërbëtor i tij. U kujdesa që ato të ishin fjalët e tij të fundit”

. Kështu u shpreh 34-vjeçari, i cili bashkë me Arbër Bakon janë të pandehur në rastin e vrasjes së avokatit Mixaleis Zafeiropoulos.

Arbër Bako ishte goditur disa herë me thikë në kokë dhe në qafë, plagë të cilat i shkaktuan vdekjen. 34-vjeçari shqiptar e godiste, kurse bashkëpunëtori i tij, një 25-vjeçar grek, mbante Bakon që mos të lëvizte.

Mediat greke thotë se Arbër Bako mund të jetë vrarë qëllimisht për të mos treguar bashkëpunëtorët. Bako ishte një emër i njohur për drejtësinë greke. Ai ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Në Nëntor të vitit 2014, ai qëlloi me breshëri në një lokal në Pire duke lënë të plagosur 14 persona. Policia greke e kishte cilësuar Arbër Bakon si person psikopatik me profilin e një vrasësi serial.

/tvklan.al