“Më thoshte djali: O mami po çfarë ka ndodhur me mua”



“Më thoshte djali: O mami po çfarë ka ndodhur me mua”

13:45 27/05/2020

Nëna e tre fëmijëve, Drita Aruçi rrëfeu në programin “Historia ime”, në Tv Klan historinë e vështirë që familja e saj ka kaluar këto 3 vitet e fundit.

Djali i saj pëson aksident kur po kthehej nga mbrëmja e maturës. Në automjetin që ai drejtonte ishin edhe 4 miqtë e tij, por që fatmirësisht pësuan vetëm dëme te lehta.

Ndërsa Neritani ndodhej në gjendje kritike për jetën. Ai u nënshtrua disa operacioneve dhe qëndroi për 3 javë në koma. Më pas ndodh mrekullia dhe ai përmendet, por gjendja e tij nuk ishte si para aksidentit.

Neritani kishte vështirësi në të folur dhe familja e tij shkon në Gjermani, ku ai i nënshtrohet një terapie të gjithanshme. Nëna e tij thotë se sot Neritani është shumë mirë dhe i vetmi problem i tij është komunikimi.

Mirela Milori: Çfarë kishte djali?

Drita Aruçi: Kishte vështirësi në të folur, nuk kuptohej asgjë, përpiqej të fliste, por nuk kuptohej. Atje në Gjermani vononin shumë procedurat dhe na u desh të prisnim 2 muaj për ta çuar në klinikë. E çuam në klinikë pas dy muajsh dhe aty filloi një terapi e gjithashme, logopedi, fizioterapi me psikologë, me gjimnastikë, e kishte ditën të zënë komplet, mbaronte njëra fillonte tjetra.

Mirela Milori: Pati rezultat?

Drita Aruçi: Pati rezultat. Logopedia punoi shumë, filloi të kuptohej dhe dalëngadalë djali filloi të ishte vetvetja. Më pyeste: O mami çfarë ka ndodhur me mua?

Mirela Milori: Pra filloi të fliste dhe të kuptonte?

Drita Aruçi: Po filloi të fliste, shkonte në tualet dhe shikonte plagët në trup: O mami po çfarë ka ndodhur me mua ? Dhe unë..

Mirela Milori: Po thua plagët në trup. Pse sa ndërhyrje pati?

Drita Aruçi: Pati ndërhyrjen e shpretkës, pati për frymëmarrjen, tubat, intubimin. Pas në kurriz i ishte futur një hekur i sediljes.

Mirela Milori: Megjithatë filloi të krijonte dhe ndërgjegjësimin se çfarë më ndodhi?

Drita Aruçi: Filloi të kuptonte se diçka kishte ndodhur me të dhe gjëja e parë që thoshte ishte: Mami keni harxhuar shumë më mua. Se është një djalë që për moshatarët e tij rrallë gjenden. Një ekonomist, donte si e si ta ndihmonte familjen, jo ta shpenzonte. Megjithatë ndodhi mrekullia, djali sot është mirë. E vetmja gjë është komunikimi, aty kemi ngecur.

Mirela Milori: Çfarë të mundon ty si nënë?

Drita Aruçi: Mua si nënë më mundon, nëjëherë u drejtova emisionit tuaj, në emisionin e parë që të kam parë thashë, kjo zonjë do bëj diçka për djalin tim. Nuk e di kështu ma tha zemra dhe prandaj u drejtova këtu. Ju bëj thirrje kompanive private, kompanive që kanë lidhje me Gjermaninë, meqënëse djali e ka ëndërr, mund të bëjë diçka, mund të punojë, mund të shkollohet, mund të aftësohet, mund ta gjejë veten kudo me një mbështetje të vogël. Unë këtu nuk jam për mbështetje ekonomike, por duam mbështetje sociale. Nëse do jetë e mundur për një lëvizje drejt Gjermanisë./tvklan.al



Të ngjashme